E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet 100-vjetori i lindjes së Ali Bakiut

19-10-2011 / Gazeta 55

Shoqata Tirana, Gazmend Bakiu dhe veprimtarë të tjerë të shquar të qytetit të Tiranës e nderuan në mënyrë dinjitoze birin e denjë të kryeqytetit, kryetarin e parë të Bashkisë të pasluftës, z. Ali Bakiu! Mbi gjithçka, ky personalitet i shquar i një veprimtarie tërë energji e përkushtim, u bë tashme i njohur, në të gjithë fizionominë e tij të lartë qytetare, për tiranasit autoktonë, për “tiranasit” e ardhur në periudha të ndryshme, domethënë për të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë shtetit të cunguar, kufijtë e të cilit shpesh quhen kufijtë zyrtarë.
Vendin e nderit e zinte, natyrisht, kryetari i tanishëm i Bashkisë së Tiranës, personi që po i përkushtohet me orar të pandërprerë këtij institucioni, që mori përmasat që meritonte, zotit Lulzim Basha. Ai u prit me duartrokitje të përzemërta, duke i takuar një për një të njohurit, por edhe të panjohurit e asaj salle të përgatitur si për festë, në katin e dytë të  hotelit që njihet si 15-katëshi. Auditori kishte përballë, në sfond, një diçiturë të dukshme me mbishkrimin “Ali Bakiu (1911 - 2011) KRYEBASHKIAKU MIDIS DY EPOKAVE”. Majtas, një epidiaskop, me përmasa të mëdha të ekranit, ilustronte fjalët e ligjëruesve, duke filluar me hapjen prej përfaqësuesit të Shoqatës Tirana. Fjala e ligjëruesve përcillej me fotot e rralla të qytetit të Tiranës, në të cilat pasqyrohej qendra me shatërvanin qendror, me lulishten e bukur të kohës dhe me ministritë që  rrethonin këtë peizazh të hijshëm, të vendosura në formë rrethore, njëra pas tjetrës, që i jepnin pamjes një bukuri të pazakontë, me atë arkitekturë të pazëvendësueshme gjer në ditët tona, që zbulonin epërsinë me mjeshtërinë arkitektonike të tyre ndaj cilatdo ndërtesa të epokës së ndërmjetme.
Gazmend Bakiu ka meritën e vet të natyrshme në këtë festë të bukur përkujtimore. Ai është, tanimë, jo vetëm i biri i një njeriu kaq të shquar, por edhe një historian që ka bërë emër me studimet e tij të një demokrati të vërtetë. Në virtytin e tij të thjeshtësisë, ai kishte zënë një vend anësor në tribunë dhe i paraqiste ligjëruesit me fjalën e tij të lirshme, siç ishte edhe diskutimi i tij, si edhe falënderimi i sinqertë për kryetarin e tanishëm të Bashkisë, Lulzim Bashën.
Oratori i parë që foli në emër të Shoqatës Tirana sqaroi kuptimin e trinomit Republikë, Monarki, Republikë Popullore. Në një pjesë kohore të  vogël, por që do të mbetet historike, Ali Bakiu ka pasur funksionin e kryebashkiakut (1945-’46). Një njeri i palodhur dhe i ndërgjegjshëm si ai, doemos do të përballej me një regjim mizor, me të cilin Aliu nuk ia lejonte vetes që të binte në kompromise të pamundshme për të. Ai, me një trimëri që do t’i kushtonte, nuk i pranoi tatimet e jashtëzakonshme (tendencioze gjer në të papërballueshme) të taksave ndaj tregtarëve, sado që këta, me dëshirë apo nga halli, e kanë ndihmuar sa më s’bëhet materialisht (me florinj) luftën nacionalçlirimtare.
Ndonëse organika e parashihte veturën për Ali Bakiun në funksion të kryetarit të Bashkisë, kryebashkiaku Ali Bakiu vinte në zyrë me biçikletë! Regjimi ia njihte karakterin dhe u orvat  ta bënte si ata të Kuvendit Popullor, domethënë në ngritës të dorës, për miratim!  Përçapje e pashpresë, për një shtetar të paepur si Ali Bakiu. Atëherë pushteti komunist i E.H.-s bëri masën rezervë: atë të masave shtypëse.
E arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Në Gjykatën e Lartë vendimi u kthye në dënim të përjetshëm. Akuzat dukeshin ashiqare si të montuara. Nga e kaluara nuk kishin argumente. Të sajonin fajësira për librarinë e tij? Apo të ngeceshin në hobin e fotografit të dokumenteve kulturore? Apo se dha dorëheqjen si kryetar bashkie? Simpatia e qytetarëve për Aliun ishte një pengesë tjetër për një vendim kapital. Gazmendi e humbi këtë baba të papërkulshëm, kur ishte fare i ri: në moshën 21-vjeçare. Eda foli për këtë figurë të shquar me një rrjedhshmëri fjalësh të cilat u dëgjuan me shumë interes. E bija, Sheriar Bakiu, motra e Gazmendit, foli në një mënyrë impresionuese. Familjarët  e këtij përkujtimori të përgatitur me përkushtim, të pranishëm në takimin festiv, e shprehnin hapur kënaqësinë e tyre për personin të cilit koha i dha vlerën që meritonte, ndonëse të munguar gjatë një regjimi antivlerë.
Kostaq Xoxa

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›