E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur kushtëzimet groteske bëhen për epitaf!

19-10-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Shqiptarët po kthjellohen nga kërcënimet e së keqes

Forumi për Demokraci, ç’është e vërteta, zgjoi iluzione në fillimet e tij, në kundërvënie me regjimin që, me marrjen e pushtetit në 1992-shin, qé i suksesshëm në shumë drejtime por, për ish-të përndjekurit politikë, mund të bëhej edhe më shumë. Dr. Berisha e shqyrtoi me vështrimin kritik atë që sapo përmendëm, si edhe sjelljen ndaj grevës së ish-të përndjekurve politikë.  Veçse e vërteta është më e gjerë dhe më e thellë. Me ish-të përndjekurit nuk mund të spekulohet. Në vitin 1996, Shoqata e tyre bëri thirrje që të votohej për PD-në. Në zgjedhjet e këtij viti, sido që ato zgjedhje u kritikuan rreptësisht nga socialistët, në minorancë në atë kohë, ato ishin ku e ku më të  mira se zgjedhjet e domeneve të qershorit të 1997-s, në të cilat për demokratët nuk votohej dot fare në mjaft zona: me kërcënimet e njëmendshme të Komiteteve të Shpëtimit Publik, që kishin vënë simbolikisht litarët nëpër pemë. Domethënia e kësaj simbolike të shëmtuar, ishte: -  Po të vijnë në ato zona - domene për fushatë zgjedhore, kandidatët e PD-së i pret litari! Duket e pabesueshme. Keqbërësit i fshehin gjurmët e prapësive të shëmtuara. Por historia nuk harron.
Këtë dukuri mortore, nuk duan ta rikujtojnë asfare ata propagandistë me mendësinë enveriste, ndonëse, në atë kohë, gazetat e kohës i kanë pasqyruar qartësisht ato kërcënime elektorale. Kanë në majë të gjuhës vetëm refrenin: ‘96-a - ‘96-a! Por “zgjedhjet” e pangjara askund të ’97-s, zgjedhje u thënçin, pasardhësit e agjitpropit komunist, do të donin të mbeteshin tabù!
Kështu “u zgjodhën” deputetë edhe  vampirë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që kishin pirë gjak rrogëtarësh të pafajshëm për terror me rrobën e ruajtësit të rendit. Lekë Qoku, që s’kishte bërë as të keqen më të vogël, u ther i gjallë dhe iu pi gjaku, sipas “ligjeve” staliniste apo enveriste, - është e njëjta gjë. Sa për ish-të përndjekurit politikë - meqë i përmendëm në fillim - Shoqata e tyre, tanimë, nuk ekzistonte. Për reagim të të vuajturve nga komunizmi, ndaj kryetarit të tyre që u sajdis si individ nga regjimi i pas-’90-s, por mbeti vetëm me një shpurë imcake rreth tij dhe me një gazetë që iu katandis si kokoshi një thelë! Ndërkaq u krijuan shoqata të tjera, nja katër a pesë, që e bënë Shoqatën Kombëtare, sa për emër! Ish-të përndjekurit politikë, ndonëse tanimë të orientuar, nuk votuan për regjimin e uzurpuar. Përjashtimet, në këtë rast, konfirmonin atë që këto nuk përbënin rregullin. Të mbetur pa gazetë (kjo e humbi fare tirazhin), ata i drejtuan shkrimet e tyre tek “55”-a. Duke filluar nga nënkryetari me prestigj dhe demokrat gjer në fund të jetës, Engjëll Kokoshi.
Sa për zgjedhjet e ’96-s, vërtet duheshin përsëritur zgjedhjet (ndonëse këto u bënë sërish  në mjaft zona) édhe në disa zona të tjera; por - sido që të bëhej –- ato nuk ishin kurrsesi zgjedhje humbëse. Jo më kot , me urdhër partie, militantët fanatikë i bojkotuan zgjedhjet, duke marrë me vete vulat zgjedhore, sapo panë që dielli nuk po ndriçonte për ta! 
Të njëjtët fabrikues rrenash u munduan të glorifikonin edhe pushtetin e tetëvjeçarit në vijim, me “zgjedhje” me policë civilë nëpër këmbë në sallat e votimit; me largim nga disa seli, për bllokim zgjedhjesh, atje ku nuk kishin interes, duke marrë vulat e zgjedhjes me vete (gjë e cila nuk pinte më ujë me kodin e ri zgjedhor, në vitin 2011, me dublikimin e vulave dhe me sanksione për abuzime të tilla, që ishin në modë nga socialistët!); me lista zgjedhore për ibret dhe me fletëvotimi që merreshin me dëshmi certifikatash nga zyrat e gjendjes civile, me okë po t’i doje! (Krahasimet me fletëvotimet biometrike të 2010-s, - 70 mijë të tilla! - vetëm kiromantët socialistë mund t’i bënin); me “ruajtjen” e kutive të zgjedhjeve në komitetet e partisë(!). Me kërcënime në zonën e Kënetës (e gjetiu) nga fuoristrada militantësh, që bllokonin votuesit në rrugë, me kërcënimin se do t’i shpërngulnin e do t’i degdisnin andej nga kishin ardhur! Me thyerje kutish votimi, për azganllëk, e mos të kujtojmë të tjerat. Vetë E. Rama e telendisi sa më s’ka këtë tetëvjeçar të paudhë: “E kishim me hak humbjen!”. Ishte një marifet për gllabërim pushteti partiak! 
Ja, trashëgimia e ’97-s. Hienat nuk mund të pjellin pëllumba! Përmendëm ish-të përndjekurit, që ushqyen disa iluzione, me ’97-n. Për ta i ashtuquajturi Institut i Integrimit nuk bëri asgjë prej gjëje. U ndërprenë edhe favorizimet për fëmijët e ish-të vuajturve të diktaturës, edhe ndërtesat për strehim, edhe bursat e më të zellshmëve prej tyre, që u bënë nga qeveria demokratike. Megjithatë, thamë, mund dhe duhej bërë më shumë. Por, kur disa prej ish-të përndjekurve politikë joshen që të votojnë për Ramën, atëherë çështja kërkon një kthjellim. Është një temë më vete, të cilën do ta trajtojmë në një shkrim tjetër. S’mund të kërkosh votën nga ata, të përbuzur gjer në depersonalizim, kur prindërit e atyre që kërkojnë këtë votë, i poshtëruan me përbuzje dhe me izolim dhe i katandisën në seleksion jetese, me varfërinë e skajshme, sipas ligjeve të Darvinit për kafshët, që më të dobëtit përjashtohen nga jeta; ndërsa bijtë e bllokmenëve, ish-keqbërësit dhe partia përfaqësuese e kësaj skote, s’ka bërë gjë prej gjëje për rehabilitimin e të vuajturve nga një regjim i luftës mizore të klasave. Çka është bërë për ta, ndonëse mund të bëhej më shumë, është jetësuar nga PD-ja dhe koalicioni i saj. Koha tregoi se disa gabime janë ndrequr dhe do të bëhet shumë më tepër. Por asgjë nuk shpresohet nga ata që, kur ishin në fuqi, gjatë një tetëvjeçari të tërë, i mashtruan ish-të përndjekurit, kur nuk u bë asnjë kompensim, asnjë strehim, asnjë shkollim. Instituti i Integrimit e mbylli  veprimtarinë e vet, me një asgjë të turpshme. Shumë nga ajo kategori fatkeqësh, që kishte rënë në kurthin e zanatçinjve  të mashtrimit, u ndërgjegjësuan. Tanimë Rama dhe propagandistët e tij ta harrojnë votën e të vuajturve nga enverizmi.
***
Edi Rama, në të gjitha fushatat elektorale, ka dalë pa program. Këtë ia kanë vënë në dukje njerëzit më të kthjellët se ai, brenda përbrenda. Ai i personalizoi zgjedhjet. Dhe humbi zgjedhjet e 2009-s. S’dinte sesi të justifikonte megalomaninë e tij, në mbledhjet e mbyllura, në obskuritet të plotë, pa minimumin e transparencës. Dhe e kërkonte transparencën nga kundërshtarët e tij politikë, duke i shtuar megalomanisë edhe demagogjinë! Por duhet t’u shtojmë këtyre huqeve édhe grandomaninë: 20 mijë komisionerët e tij e paskëshin... tradhtuar! Domethënë se zgjedhjet nuk ishin vjedhur nga kundërshtari, por edhe nga brenda përbrenda, nga të tijtë! S’merrej vesh se cilët ishin fajtorët e humbjes! (Ç’na kishin dëgjuar veshët!). Sa për mungesën e programit, bëri një si punë kioske me xhamllëk në mes të sheshit qendror, ku kishte stenda që “provonin” programin me 10 mijë faqe! Njerëzit u hidhnin një sy nga qelqet, pa denjuar të hynin brenda, pa i lexuar këto shkresurina dhe qeshnin me një pamje ironike. Me fushatën në përballje me Lulzim Bashën, Edvini plasi nga të folurit me një retorikë propagandiste të dalë boje. U bë i padëgjueshëm: Ndonëse kundërshtari i tij për mandatin e bashkisë respektonte etikën zgjedhore duke e përmendur me “z. Rama”, ky e përmendte kandidatin antagonist, me atë përbuzje që ka në shpirt, me “Lulzim Saliu”! (Ç’provokator!). Pastaj, me vonesë, u kujtua se nuk kishte folur dot ç’kishte bërë dhe duhej të fliste, paçka se me vonesë, se ç’duhej të bënte. Dhe kjo ishte si një biçim programi. Një Unazë të Madhe do të bënte Basha? Ai do të bënte dy! Dy tramvaje do të bënte kandidati demokrat për bashkinë? Ai do të bënte tre! Por zgjedhësit ia blenë menjëherë mendjen dhe i dhanë atë që meritonte. Sipas votuesve, një njeri që e shikonte me dylbi nga larg bashkinë, nuk mund të bënte as rrugët me gropa të kryeqytetit, ku të mbyste balta në dimër dhe pluhuri në behar! Një kapadaí që e kishte të vështirë të vinte në funksionim edhe Sahatin e vetëm të kryeqytetit, në qendër! Dhe përmbytja në bulevardet, për shkak të mungesës së kanalizimeve, i ngjante lumit rrugor të Komunës së Parisit, lagje e re për të fituar 4000 vota plus! Po të kishte fituar bashkinë Edvini, ta harronin mirëbesuesit Unazën e Madhe, tramvajet dhe rrugët sekondare të ndërlidhjes me Unazën e Madhe, që do të normalizonin atë bllokim rrugor, ku makinat ecnin me hapat e breshkës! Bërr-bërr-bërr, me orë të tëra e në vend numëró, që shkaktonin një tymnajë asfiksuese! Kësaj gjendjeje anormale kryetari i ri, Lulzim Basha, po i jep fund në një kohë rekord. Dhe kryetari plak donte ta sfidonte kandidatin e ri, kur ky i fundit punon, në mënyrë metaforike, 25 orë në 24! Kur i vjetri, pa e prishur gjakun fare, punonte disa minuta në harkun kohor të disa muajve! A do ta kishim të përfunduar atë gërmadhën, - sikur të ishte shkaktuar nga bombardimet e kohës së luftës, - të përfunduar gjer në mes të nëntorit të këtij viti, po të ishte endé kryetar bashkie ai që iku pa paguar bashkiakët e vet? Kurrën e kurrës! Por L.Basha nuk është nga ata që i lëshon fjalët t’ia marrë era, siç është E. Rama që ç’thotë sot, nuk thotë nesër! Për premtimin zgjedhor të 100-ditëshit, prof. Dr. E. Panariti tha se qysh tani është tejkaluar ky premtim në mjaft zëra. Në mes të nëntorit do të takohemi prapë.
Populli, sido që i çorientuar nga një goditje në tru me efekte të shpëlarjes së trurit, që nga “lumturitë” me lugë të zbrazët të kohës së diktatorit Enver Hoxha, po fillon të kthjellohet. Le të lodhet më kot kundërshtari i tij i padenjë i L. Bashës që vetëshpallej fitues me +10(!), ME KUSHT që mijëra vota të hidheshin në lumin e papastruar të Lanës, për hir të shenjtërimit jo të votës së lirë, por të... kutive! Veçse kushtëzimet e tij groteske janë bërë, tashmë, për epitaf!
Kastriot Islami, socialist i staturës europiane, ia ka thënë troç: - Nuk mund t’u vihen kushtëzime prioriteteve të OSBE-ODIHR-it, që do të ishin kushtëzime kushtëzimeve, nëse kuptohet që të 12 prioritetet e BE-së ishin kushte. Mjafton të ndiqeshin ato detyra, pikë për pikë, sipas K.Islamit. Por Edvini kërkon që ta shtyjë  lëngatën e tij antieuropiane sa më shumë. Ai e kupton se në Europë do të jetë i padurueshëm e do të mbetej  si peshku pa ujë, kur edhe këtu, me të gjithë atë derro mendësí enveriste (për të cilën do të vijë dita që të përgjigjet) , është i kontestueshëm jo vetëm ndaj forcave demokratike, por edhe nga socialistët joenveristë, brenda radhëve. Sido që gafat e tij e ka për huq t’ua ngarkojë kundërshtarëve të tij, ai – inkoherenti par excellence, -  nuk është i besueshëm, përveçse ndaj turmës së mëkatarëve, që i ka si marioneta! 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›