E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet 12-vjetori i masakrës në burgun e Dubravsës

PRISHTINË-Me rastin e 12 vjetorit të masakrës së forcave serbe mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës, në Kosovë, zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kërkoi sot zbardhjen e plotë dhe përgjegjësi për urdhëruesit dhe ekzekutuesit.

Në përvjetorin e kësaj masakre, ku merrnin pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, të mbijetuar dhe familjarë të të vrarëve, Kuçi tha se të gjithë ata që kanë përgatitur masakrën e Burgut të Dubravës, do të përgjigjen penalisht.
"Shumica e njerëzve kanë qënë të burgosur për qëllime politike dhe, kjo, që ka ndodhur në Burgun e Dubravës në vitin 1999 është rast i rrallë, prandaj përgjegjësia penale bie mbi të gjithë ata që kanë bërë veprime të tilla", theksoi ministri Kuçi.

Ndërsa, i mbijetuari i kësaj masakre, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, shpalosi kujtime nga dita e masakrës.
"Në mëngjesin e 22 majit të 1999, në këtë vend ku jemi sot, na kanë renditur gardianët, ku në turmën e të burgosurve kanë gjuajtur nga të tre anët, ku mund të shihje përveç tym dhe gjak", tha ai.

Gjatë kësaj ceremonie, u bë e ditur se në vendin ku ka ndodhur masakra, do të vendoset një pllakë përkujtimore në shënjë kujtimi për të vrarët dhe të mbijetuarit e saj.Një nga të mbijetuarit tha se në masakrën e Dubravës janë vrarë më se 160 të burgosur dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës këtë javë u zhvillua një debat parlamentar për masakrën e Dubravës dhe unanimisht u përkrah rekomandimi organeve gjyqësore të përshpejtojnë mekanizmat për zbardhjen e saj dhe masakrave të tjera në Kosovë.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›