E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të rezultateve nga dialogu teknik

Nga Express më 22 maj 2011 në ora 15:48

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke pritur rezultate nga dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, por nëse nuk ka ndonjë rezultat konkret atëherë nga mesi i muajit qershor edhe do të aplikohen masat e reciprocitetit në fushën ekonomike me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Të përballur me bllokadë për eksportimin e mallrave të tyre, prodhuesit vendorë ka disa vite që kërkojnë nga institucionet e Kosovës ndërhyrje për të mbrojtur prodhimet vendore dhe në këtë rrafsh fillimisht të aplikohen masa reciprociteti me Serbinë dhe me Bosnjën për sa i përket embargos së tyre.

Në një intervistë të dhënë për Kosovapress, zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se janë në pritje të rezultateve nga dialogu teknik, por nëse nuk ka diçka konkrete reciprociteti do të aplikohet nga mesi i muajit qershor.

“Një gjë e tillë është e paraparë nëse asgjë nuk ndryshon në raport me pranimin e vulave nga ana e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Kjo mund të ndodh nga gjysma e muajit qershor. Arsyeja është se kemi të bëjmë me një afat kohor, i cili i lejon mjaft kohë Komisionit Evropian, por gjithashtu edhe përfaqësuesve të Serbisë, që të ndërrojnë qëndrimin e tyre gjatë diskutimeve në dialogun teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, që kjo çështje të zgjidhet dhe jo të pritet deri në pafundësi dhe të faturohet në humbje të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila bëri të ditur se me qëndrimin për aplikimin e reciprocitetit janë në dijeni edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe presidentja Atifete Jahjga dhe se ky vendim është bërë i ditur edhe në Bruksel në kuadër të takimeve të CEFTA-s.

Bashkësia evropiane është ithtar i zgjidhjes së kontesteve përmes procedurave të mekanizmit të Sekretariatit. Por për të gjetur një zgjidhje në këtë formë, Kosova do të duhej të autorizonte UNMIK-un si nënshkruese e marrëveshjes që në emër të Kosovës të ndërmarrë institucionin e arbitrazhes.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë tregon se pasi Kosova është pavarësuar ka dashur që veprimet t’i ndërmarrë si shtet dhe jo përmes UNMIK-ut.

“Megjithatë ka një periudhë kohore që nga Qeveria e kaluar se institucionet qeverisëse që pas shpalljes së pavarësisë janë sovrane dhe prezantojnë Kosovën jo përmes UNMIK-ut, por drejtpërdrejt nga institucionet e Kosovës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse nuk e kemi përdorur mekanizmin e arbitrazhes dhe mekanizmin e zgjidhjes së kontestit përmes sekretariatit duke autorizuar UNMIK-un, por kemi marrë qëndrim si institucione sovrane që të përdoret masa e reciprocitetit nëse ka në vazhdimësi shkelje nga ana e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, që po i kushtojnë shumë ekonomisë kosovare”, është shprehur Kusari-Lila.

Ajo edhe rithekson se problemet më mirë është të zgjidhet në kuadër të dialogut teknik, por nëse jo, atëherë Kosova duhet të marrë masa për të mbrojtur sadopak ekonominë e saj, që në vazhdimësi është duke pësuar si pasojë e mosrespektimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë nga ana e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Që nga mbarimi i luftës, për shkak të rrethanave të njohura Kosova ka importuar shumicën e mallrave nga Serbia dhe kjo ka bërë që bizneset mos të kenë lidhje të forta bashkëpunuese me shtetet tjera.

Me qëllim që mos të krijohen zbrazëtira në treg, Kusari-Lila tha se fillimisht do të ngarkojnë me doganë mallrat e Serbisë dhe mandej bashkë me bizneset vendore do të shikohen mundësitë e gjetjes së tregjeve të reja për të plotësuar nevojat e Kosovës.

“Do të fillohet të ngarkohet doganë për mallrat e Serbisë, domethënë ky është hapi i parë. Mandej do të priten rezultate nëse ka nga ana e Qeverisë së Serbisë për pranimin e vulave, nëse jo atëherë do të shikohen mundësi tjera. Por është një e vërtetë, se do t’u kumtohet edhe importuesve kosovar të mallrave nga Serbia dhe do të kërkohet bashkëpunimi i tyre për të gjetur tregje të tjera për të plotësuar nevojën vendore, por gjithashtu edhe prodhuesit kosovar të shfrytëzojnë hapësirën për promovimin e produkteve të tyre, pasi në vazhdimësi kemi pas ankesa se më shumë ka favorizime për produktet e importuara të gatshme sesa të prodhuara”, ka thënë ajo.

Ndryshe, nëse kësaj radhe aplikohen masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, atëherë ky është edhe hapi i parë që Kosova sillet si shtet ndaj këtyre fqinjëve që kanë dëmtuar shumë ekonominë e Kosovës./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›