E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet “Titanik”-u

Një ceremoni përkujtimore u zhvillua mbi vendin e mbytjes, në kuvertën e anijes “MS Balmoral” e cila po përshkon të njëjtën udhë të transoqeanikut fatkeq një shekull më parë.

Një minutë heshtje u mbajt dhe tufa me lule u hodhën në det në çastin kur “Titanik”-u u fundos në ujërat e Atlantikut verior mesnatën e 14 dhe 15 prillit 1912.

Gjithashtu, në Belfast u përurua një pllakë përkujtimore me emrat e 1 500 njerëzve që u fundosën bashkë me anijen gjigante.

Anija, e cila në atë kohë ishte më e madhja e ndërtuar ndonjëherë, lindi pikërisht në kryeqytetin e Irlandës së Veriut.

Një tjetër ceremoni u zhvillua në Southhempton, qytetin-port nga ku “Titanik”-u u nis 5 ditë para se të fundosej.

Një tjetër anije, “Azamara Journey”, që u nis nga Nju Jorku, po ashtu përkujtoi tragjedinë bash në vendin ku ajo ndodhi, rreth 640 kilometra nga brigjet e Njufaundlendit.

Ngjarja e dhimbshme po kujtohet edhe në qytete të tjerë, përfshirë Nju Jorkun, destinacionin e paarritur të “Titanik”-ut.

Rreth 1 300 udhëtarë, milionerë dhe emigrantë të varfër, dhe rreth 900 pjesëtarë ekuipazhi ndodheshin në bord, në udhëtimin e parë të transoqeanikut të madh.

Anija la Southhemptonin më 10 prill 1912, ndërsa goditi ajsbergun në orën 23:40 (sipas orës së vetë anijes) të 14 prillit, para se të zhdukej përfundimisht nën ujë rreth dy orë e gjysmë më pas.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-04-15 18:32
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›