Përkujtohet 90 vjetori i Kongresit të Lushnjes
TIRANE- 90 vjetori i Kongresit të Lushnjes është përkujtuar në Muzeun Kombëtar. Në pesë stenda me dokumente historike pasqyrohej veprimtaria këtij Kongresi që mblodhi 50 delegatët e ardhur nga gjithë territori shqiptar vendit, mes të cilave, Himni, vendimet, qeveria e Kongresit, etj. Ndër objektet e vjetra të asaj ngjarjeje, ishin përzgjedhur flamuri original shqiptar i mbajtur në ditën e Kongresit të Lushnjes, bastuni e kama e Aqif Pashë Elbasanit, etj. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi shprehet se, “Kongresi i Lushnjes u mblodh në një periudhë të vështirë për shqiptarët pas Luftës së parë Boterore, ku problemi shqiptar dilte m’i koklavitur sepse, në atë periudhë, Shqipëria pothuaj se ishte e pushtuar nga forcat e huaja me synime pushtuese". Në këtë kontekst historik, Malltezi tha se "Konferenca e Paqes që u mbajt në Paris, më 18 janar 1919, miratoi dhe mbështeti pretendimet e tri monarkive fqinje: Italisë, Greqisë dhe Serbisë, për t'a ndarë Shqipërinë duke refuzuar kështu kërkesat e delegacionit shqiptar për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetin e shtetit shqiptar”. Sipas Malltezit, duke e parë se ekzistonte rreziku real për një pushtim të plotë të Shqipërisë, patriotë e diplomatë shqiptarë të kohës duke parë se qeveria e përkohshme shqiptare e dalë nga Kongresi i Durrësit (1918) po ndiqte politikën e nënshtrimit ndaj pushtuesve italian, vendosën të mblidhen për të marrë hapa të mëtejmë për fatin e atdheut. Organizimi i Kongresit iu besua një komisioni me qendër në Lushnjë, ku dhe mbajti punimet me sukses. Sipas tij, “tre vendimet kryesore të Kongresit të Lushnjes ishin: riafirmimi i pavarësisë të shtetit shqiptar, krijimi i Këshillit të Naltë dhe vendosja e Tiranës si kryeqytetet i Shqipërisë”. Kongresi i Lushnjes u mbajt në 21-31 janar 1920 ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga gjithë Shqipëria, me qëllim studimin e situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin e Shqipërisë. Pas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër komisione të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të Kongresit që u mbajt më 28 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani. Mbledhja e tretë vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpëra kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, mbajtur më 26 prill 1915, pakt që sanksiononte coptimin e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, situatën e brendëshme dhe të jashtëme, prej nga doli konkluzioni se ajo kishte dalë dhe vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor, 1918. Ndaj Kongresi i Lushnjes vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit. Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar, Kongresi zgjodhi antarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pasditen e 31 janarit të vitit 1920-të, Kongresi i Lushnjes u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, kryeqytet të Shqipërisë.(atsh/BalkanWeb)