E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Muja dhe 40 dëshmorë tjerë

Nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi, në Prishtinë u mbajt Akademi përkujtimore, me rastin e rënies së komandantit Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve të lirisë.

Në akademinë përkujtimore kushtuar Komandantit Mujë Krasniqi i rënë 14 vjet më parë në Bjeshkët e Pashtrikut së bashku më 40 bashkëluftëtarë të tjerë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se guximi i pamposhtur i komandat Krasniqit që edhe i plagosur nuk u tërhoq nga fushë betejat, ishte tipar dallues i brigadave të UÇK, transmeton rtk

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në themel kishte sakrificën sublime të komandantit Adem Jashari që mori përmasa legjendare. Prandaj vetëm kështu mund të shpjegohet shpirti sakrifikues dhe luftarak i komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së. E çlirimtarë të Kosovës janë gjithë qytetarët e Kosovës që sakrifikuan për liri dhe pavarësi. Vetëm kështu mund të kuptohet karakteri, guximi dhe vullneti i pamposhtur i komandantit Mujë Krasniqit, i cili edhe pse i plagosur, kurrë nuk u tërhoq nga fushëbetejat kudo anekënd Kosovës” ka thënë kryeministri Thaçi .
Veprimtari dhe simboli i rezitencës kombëtare, Adem Demaçi, tha se në këtë akademi po përkujtohet heroizmi i luftës dhe e historisë e cila është shkruar me gjak. Ai shfrytëzoi akademinë përkujtimore për të kritikuar polemikat dhe grindjet mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Kryeministri ynë i ndershëm i thot Albinit ti ke qenë përkthyes i zyrës së Adem Demaçit. Unë s''kam pasë zyre, ajo ka qenë zyrë e UÇK-së. Insistimi që ne të përkujtojmë heronjtë dhe martirët tanë, është një detyrë dhe obligim që kemi ndaj gjithë atyre që flijuan jetën e tyre për kombin. Ne që mbetëm gjallë e kemi për detyrë të mbrojmë heronjtë tanë, sepse ata u flijuan për kombin, për atdhe pa përçarje, prandaj në këto kujtime ne përsëri e pranojmë obligimin tonë, në mënyrë që të vazhdojmë rrugën e tyre”, tha Demaçi.

Kryetari i Shoqatës së dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se shteti i Kosovës e ka obligim të nderojë dëshmorët e kombit dhe të kujdeset për invalidët dhe veteranët e luftës. Ai porositi politikanët shqiptarë që të mos merren me përfitime personale, ngase, siç theksoi ai, ”politika shqiptare ka obligim historik që ta çojë amanetin e dëshmorëve të kombit në vend”.
Komandanti Mujë Krasniqi, së bashku me 40 dëshmorë të tjerë ranë në altarin e lirisë 14 vjet më parë në kufirin Kosovë- Shqipëri. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›