Jahjaga falënderon humanistin Neudeck për ndihmën dhënë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot themeluesin e organizatës humanitare gjermane Cap Anamur, Rupert Neudeck, i cili shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu.
Presidentja falënderoi Neudeck për mbështetjen dhe ndihmën humanitare ofruar popullit të Kosovës në kohërat e tyre më të vështira gjatë dhe pas luftës. Duke e quajtur z. Neudeck një mik të madh të Kosovës, presidentja Jahjaga tha se solidariteti i lartë njerëzor dhe përkushtimi i z. Neudeck për të ofruar kushte elementare të jetesës, ndryshoi jetët e shumë qytetarëve të Kosovës.
Presidentja Jahjaga njoftoi Neudeck për përcaktimin e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik e ligjor, si kontribuues i paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej ajo njoftoi z. Neudeck për përparimin që shteti i Kosovës ka bërë që nga mbarimi i luftës, duke ndërtuar institucionet shtetërore dhe duke krijuar kushtet që të gjitha komunitetet të gëzojnë të drejta dhe liri të barabarta, të garantuara me Kushtetutën e vendit, raporton Koha.
Neudeck shprehu lidhjen e ngushtë që e ka me popullin dhe shtetin e Kosovës. Ai theksoi se populli dhe shteti gjerman është mik dhe partner i shtetit të Kosovës, i përkushtuar që të mbështesë rrugën e Kosovës drejtë integrimit evropian. Ai e përgëzoi Presidenten për progresin që Republika e Kosovës ka bërë në ofrimin e të drejtave dhe lirive të barabarta për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend, duke e cilësuar Kosovën si shembull i garantimit të të drejtave dhe të lirive të minoriteteve për rajonin, por edhe për Evropën./Indeksonline/