Përkujtohet me një simpozium themeluesi i bektashizmit
Përvjetori
U organizua sot në Tiranë një simpozium ndërkombëtar kushtuar 800-vjetorit të lindjes së Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të bektashizmit. Në këtë veprimtari morën pjesë klerikë, studiues e të ftuar të tjerë, mes të cilëve edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri. Bektashizmi, i frymëzuar prej tij, u përhap në gjithë Ballkanin e më gjerë, duke mbërritur edhe në Shqipëri. Që nga viti 1929, me vendosjen në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, vendi ynë u bë qendra e Bektashizmit botëror. Sot bektashinjtë janë një bashkësi fetare e konsoliduar, njëra nga katër bashkësitë fetare tradicionale, që përbëjnë katër shtyllat e bashkëjetesës harmonike ndërfetare në Shqipëri. Vetëm pak kohë më parë u lidh edhe një marrëveshje mes Këshillit të Ministrave dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku Shqipëria njihet me ligj si Qendra Botërore e Bektashizmit. Në këtë kuadër, në ligjin për financimin e bashkësive fetare nga buxheti i shtetit, një nen i veçantë i kushtohet mbështetjes financiare të Qendrës Botërore të Bektashizmit. Ndërkaq gjatë kësaj veprimtarie u bë e njohur se prej një muaji pranë MTKRS-së ka filluar punë për herë të parë në historinë e kësaj ministrie një sektor që do të merret me diversitetin fetar në Shqipëri.
#