E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tumoret, më shumë se mbi 4500 raste të reja çdo vit

Mblidhet Komiteti Kombëtar i Kancerit, nis puna për hartimin e draftit: shërbim shëndetësor në familje

Pas dy vitesh, mblidhet Komiteti Kombëtar i Kancerit. Komiteti drejtohet nga specialistët më të mirë të fushës, si dhe drejtohet nga zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia.
Qëllimi që do të ketë puna e këtij komisioni do të jetë përmirësimi i cilësisë së jetës për të sëmurët, parandalim parësor, zbulim të hershëm dhe ulje të stadit të tumorit në momentin e diagnostifikimit. Këto janë katër pikat kryesore të punës së Komitetit Kombëtar të Kancerit. Dhjetë specialistët e këtij komiteti do të jetë hartuesit e draftit final, “Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit”, që do t’i përcillet Këshillit të Ministrave.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në mbledhjen e parë të këtij komiteti, siguroi mbështetjen maksimale të tij dhe strukturës që ai drejton. “Ky komitet synon një bashkërendim të përgjithshëm të shumë veprimtarive në luftën kundër kancerit. Do të punojmë për një përqasje më të planifikuar dhe më efektive, duke vlerësuar dhe duke u ballafaquar me situatën në të cilën ndodhemi. Kemi gjithë vullnetin e duhur për vendosjen e objektivave shëndetësore, vlerësimin e strategjive të mundshme dhe ajo që është më e rëndësishme, vendosjen e përparësive të qarta”, sqaroi dje gjatë mbledhjes zv/ministri Spahia. Një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën është firmosur në 2005-n me një marrëveshje për të trajtuar problemin e sëmundjeve të patransmetueshme, ku përfshihet edhe kanceri. Ministria e Shëndetësisë prej kohësh ka kërkuar një draft për një program kombëtar të kontrollit të kancerit, në bazë të parimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky program kombëtar do të shtrihet në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor shqiptar dhe do të jetë pronë e komunitetit, duke synuar dhe përfshirjen e shoqërisë nëpërmjet veprimit kolektiv dhe social. Në vendin tonë numërohen mbi 4500 të reja në vit. Sot ekzistojnë njohuritë për të parandaluar një të tretën e gjithë kancereve, për të shëruar një të tretën dhe për të shëruar dhimbjen e vuajtjen në pjesën më të madhe të tyre. Sot kanceri është një problem mjaft i madh. Në botë numërohen rreth 10 milionë raste të reja në vit, nga të cilat mbi shtatë milionë do të vdesin nga kanceri. Sipas vlerësimeve të organizmave ndërkombëtare, në dhjetë vitet e ardhshme, 84 milionë do të vdesin nga kanceri nëse nuk merren masa. Vlerësohet se nga viti 2020 do të ketë 16 milionë raste të reja në vit dhe nga 2050-ta incidenca e sotme do të dyfishohet në 24 milionë raste të reja me kancer në vit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›