E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxolli: Gjeneralët dhanë urdhrin për ndërtimin e fabrikës në Gërdec

Ish-drejtori i “Albdemil” “sulmon” ashpër në gjyq Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm

Gjyqi më i madh i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ai për tragjedinë e Gërdecit, në seancën e radhës, ka shënuar zhvillime të reja. Dje, një nga të pandehurit kryesorë, Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës, kërkoi të deponojë vullnetarisht. Pas plotësimit nga trupi gjykues të kërkesës së tij, ai deklaroi se për ngritjen e fabrikës është dhënë miratimi që në fillim nga ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes. “Ka qenë data 29 maj e vitit 2007, kur Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm dhanë urdhrin për ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec”, deklaroi ai në seancën e djeshme, e cila ishte shtyrë që nga dita e hënë. Në vijim të dëshmisë, Minxolli theksoi se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka inspektuar personalisht fabrikën në muajin qershor të vitit 2007. Ndërkohë me zbatimin e urdhrit për ngritjen e saj, është kujdesur gjeneral Shpëtim Spahiu.
Dëshmitë e punëtorëve
Gjithashtu duke paraqitur disa dokumente, Minxolli kundërshtoi pohimin e bujshëm të ish-rojës së fabrikës, sipas të cilit puna kishte disa muaj para se të hapej fabrika dhe të dilte vendimi i qeverisë për këtë aktivitet me natyrë ushtarake. Në seancë ishin thirrur dhe disa dëshmitarë ish-punonjës apo të afërm të viktimave. Luiza Durdaj ishte një nga dëshmitaret e seancës së djeshme. Ajo pohoi se ditën e ngjarjes kishte qenë në punë. “Zjarri, tha ajo, filloi nga një karrocë që transportonte barutin. Në fillim isha me kurriz dhe nuk e ndjeva, por kur u ktheva e pashë një metër afër. Në fabrikë kishte dhe fëmijë të moshës 8-9 dhe 10-vjeçare, të cilët në disa raste vinin për t’i sjellë bukë prindërve ose për t’i ndihmuar në punë”. Dëshmitarja tjetër në këtë proces ishte Dylbere Prini. Ajo tha se kishte punuar në fabrikë së bashku djalin dhe dy vajzat e saj. Gjithashtu pohoi për të disatën herë se në punë i kishte marrë Dritan Minxolli. “Nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë, kushtet e sigurisë ishin jo të mira”, theksoi ajo në rrëfimin para togave të zeza. Dëshmitarja e radhës ishte Mirela Hazizaj, e cila kishte humbur bashkëshortin. Hazizaj deklaroi se ditën e ngjarjes kishte qenë në punë. “Në atë moment dikush bërtiti, ‘mori flakë, mori flakë’, pastaj nuk di më ça ka ndodhur, sepse u largova për të shpëtuar. Punonim në grup dhe kishim një normë që duhet ta plotësonim”, tha ajo. Gjatë seancës dëshmoi gjithashtu Afërdita çanka dhe Fatbardha Ramaj, ndërkohë që nuk u paraqit shtetasi Qani Aliu.
Bashkëshortja e specialistit
Në seancën e djeshme, një nga dëshmitaret e rëndësishme të seancës ishte dhe Afërdita çanka, bashkëshortja e Besim çankës, ish-oficer i punësuar në fabrikën e Gërdecit. Sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti ishte punësuar si specialist për monitorimin e zbatimit të rregullave të sigurimit, për shkak të përvojës së tij si xhenier. Gjithashtu ai kishte kryer dhe disa specializime jashtë vendit në këtë fushë. Kishte nënshkruar një kontratë pune edhe me Dritan Minxollin dhe kishte një rrogë prej 90,000 lekësh të reja në muaj. “Në bisedat që bënim bashkë, tha ajo, Besimi shfaqej i shqetësuar për kushtet e punës. Sipas tij, mjetet që punonin punëtorët ishin primitive dhe rrezikonin seriozisht jetën e të gjithëve”. “Një ditë, rrëfeu ajo, burri erdhi shumë i shqetësuar në shtëpi. Kishte pasur një konflikt me Sokol Gjeçin për çështjen e karrocave. Ato ishin me goma metalike, të cilat mund të provokonin zjarr në çdo moment, duke qenë në kontakt me barutin. Ai kishte debatuar me Gjeçin për ndërrimin urgjent të tyre me rrota gome”. Ndërkohë që pas dëshmisë së bashkëshortes, Sokol Gjeçi përgënjeshtroi fjalët e saj. “Unë kam pasur një marrëdhënie paralele të shkëlqyer me Besim çankën, por normalisht edhe debatet për çështjet profesionale janë normale në punë. Besim çanka nuk ka qenë në varësinë time dhe nuk merrte urdhra nga unë. Ai kishte detyra të ndara nga unë dhe për çdo gjë komunikonte me Dritan Minxollin”, deklaroi Gjeçi përpara trupit gjykues. Ndërkohë ditën e hënë do të zhvillohet seanca tjetër. Sipas vendimit të fundit të trupit gjykues, gjyqi për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec në vitin 2008, duke nisur që nga dita e hënë, do të zhvillohet dy herë në javë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›