E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtojmë njerëzit tanë, mërgimtarë në SHBA, të arratisur nga ferri komunist

Në vend të një nekrologjie



Më 11 mars të këtij viti, doktoresha Vasilika Koço Imeraj (Karajani) vdiq në Shtetet e Bashkuara. E la si porosi që në gjallje, që të varrosej në atdheun e saj. Më 19 mars varrimi u bë në Vlorë. Pjesëmarrja e vlonjatëve ishte e jashtëzakonshme. Marrim pjesë edhe ne, duke shprehur ndjenjat dhe hidhërimin tonë, në këtë dhembje të familjes dhe të bashkëshortit të saj, Prenjo.


Natyrisht që bashkëshorti i saj, Prenjo, do të pësonte pasojat e luftës së klasave, si i biri i Sefer Imerit. Për veprimtarinë e këtij veprimtari të shquar të nacionalizmit shqiptar mjafton të thuhet se ra pranë Hysni Lepenicës, në Gërhot të Gjirokastrës, së bashku me tridhjetedy trima të tjerë. Ishte adjutanti i Lepenicës dhe është rreshtuar si personi i dytë në listën e atyre që u shpallën dëshmorë të kombit nga qeveria Demokratike, më 23. 09. 1992 .


është vërtetuar, tashmë, se komunistët ishin provokatorët e kësaj vrasjeje masive në kazermat e Gjirokastrës, kur Hysni Lepenica, vetë i 34-t, në marrëveshje me Divizionin italian në Gërhot, vajti për të çarmatosur italianët e për t’i strehuar ata nëpër fshatrat tona. Ndërkaq, provokatorët përtej rrethimit, zbrazën breshëri armësh, që i vunë të strehuarit italianë në kazerma, në alarm dhe në bindjen se ata që kishin hyrë brenda rrethimit të Gërhotit, ishin futur aty me synime armiqësore. Në atë tollovi dhe “në vetëmbrojtje”, italianët i zbrazën të gjitha armët kundër luftëtarëve të Hysni Lepenicës, që ranë në terrenin e hapur të Gërhotit.


Të 34 të vrarët u quajtën tradhtarë!


I biri i Sefer Imerit, Prenjua, pati pasojat e luftës së klasave. Natyrisht edhe bashkëshortja e tij, e ndjera Vasilikë. Ishte e natyrshme që, qysh në ditët e para të proceseve demokratike, Prenjua ishte pjesëmarrës aktiv i kësaj veprimtarie, si anëtar i kryesisë së PD-së për rrethin e Lushnjës . I kërcënuar, si shumë demokratë të tjerë, ai mërgoi në Amerikë. Doktor ai dhe e shoqja, Vasilika, ata u bënë shembull humanizmi në Nju-Jork, dëshmuar kjo edhe me përcjelljen e shumtë për në banesën e fundit, në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit. Nuk qenë të paktë edhe të mbledhurit në këtë aeroport dhe vargani i makinave për varrimin përfundimtar, pranë qafës së Babicës.


Sërish, ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, për bashkëshortin Prenjo dhe për të gjithë dashamirët e shumtë në atdhe dhe në mërgim.


K.X.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›