A e di Namik Dokle se ka tragjedi më të madhe se të të vjedhin lopën?
“Populli të zbret nga kali, të bën të mbahesh nga bishti i gomarit” - Namik Dokle. Citate-ndodhi të denja për tituj tragjedish. Citate-ndodhi epokale. Të jetonin në ditët tona Eskili, Sofokliu, Euripidi, Shekspiri, Rasini, Korneji me shokë, do t’i kishin përvetësuar për t’i treguar botës se sa komplekse është qenia njerëzore, se deri ku mund të arrijë egërsia njerëzore. Mjerisht, konstatimet politiko-filozofike të mendimtarit Dokle do të shkojnë dëm. Vështirë se do të gjendeshin sot filozofë a shkrimtarë të atij niveli, që të zbërthenin brendinë e tyre të thellë. Ato janë rezultat i shtrydhjes së kutive, janë kuintesenca e mendimit të Edvin Ramës. Madje, më të bukura përfundime filozofiko-politike për t’i vendosur në stendat e dhomave të kulturës të kooperativave bujqësore të tipit të lartë, kryeredaktori i “Zërit të Popullit” nuk do të kishte gjetur dot as në zyrat e shoqes Lenka çuko, kur ajo u transferua me ngritje në qytet dhe, më pas, në kryeqytet, duke marrë me vete jo vetëm baltën e Myzeqesë, por edhe mentalitetet e baltosura të mjelëses së rendimenteve të larta. Nafija tundte dybekun, që ta zinte gjumi udhëheqësin. Detyrë partie. Lenka dridhte shaminë, kur mbante fjalime në tribunat e kongreseve të partisë. Detyrë partie. Dridhe Like! Po nuk e drodhe s’ka ngritje në pozitë. Vogëlushi i politikës së atëhershme, Namiku rrihte shuplakat dhe gërmonte me etje në veprat e udhëheqësve të partisë të mblidhte citate që të mbushte faqet e ZP-së. S’do mend, detyrë partie. Dhe ja ku u ngrit edhe ai në majë të piramidës. Madje, konkurroi edhe me Ramiz Alinë për postin e presidentit. Nuk është pak, ë? Kurse sot, i erdhi radha edhe atij, falë çudibërësit Edvin Rama, të shndërrohet nga mbledhës, në prodhues citatesh. Ngritje në detyrë. La e më la, shoku Namik! Ngritje të tilla paç në jetë të jetëve! Veç mbahu mirë pas bishtit të gomarit, përndryshe, po iu këput bishti veshgjatit, nuk dihet në çfarë humnerash përfundon. Ato të Shishtavecit do të ngjanin shesh me lule.
Mirëpo kolana e botimeve soc-komuniste nuk ka të sosur. Pas tragjedive të Dokles me lopë, me kuaj e gomarë, pa tjetër do t’u vinte radha komedive të Pandeli Majkos me vjedhje votash. Sërish me vjedhje, por kësaj here shakaxhiu i PS-së e vlerëson njeriun si qenie komplekse, që ha njëherësh edhe komedi, edhe tragjedi. Sipas botëkuptimit të tij filozofik, komedia është bashkudhëtare e tragjedisë. Pse të mos i shijojë njeriu të dyja më njësh, siç i ka dhënë Zoti? Dha ja, na vjen i freskët në tryezën e sotme të demokracisë: “Vjedhjet e votave në Shqipëri kanë qenë në çdo zgjedhje edhe kur keni qenë ju në pushtet, edhe kur kemi qenë ne.” Allah, Allah, çfarë soj shakash paska në këtë botë! Qenka bërë kërdia me shaka. E paparashikuar, fëmijërore, qaramane, por e këndshme. Politikanët europianë le ta shtrydhin trurin që të zbërthejë rebusin dhe të nxjerrin mësime.
T’u zgjokëshin nga gjumi mendjet e ndritura të lashtësisë, të mesjetës ose të kohëve moderne, kushedi çfarë veprash të pavdekshme do të na dhënkëshin, duke qëmtuar në mendimin filozofiko-politik të demokracisë së sotme edviniste. Ku demokracia e Greqisë së lashtë, ku kjo, e Edvinit! Ku Sofokliu, ku Namiku! Ku Molieri, ku Majko! Do të kishte gjetur dot Sofokliu tragjedi më të madhe sesa vjedhja e lopës? Incesti i Edipt do të ngjante hiç përpara vjedhjes së lopës. Ruana Zot! Lopa të mban gjallë familjen me qumësht, me kos, me dhallë, me gjalpë, me djathë, me gjizë... Me mish, se xheç harrova. Lopa pjell edhe viça. Mbajtka gjallë edhe politikën. Po sikur, anasjelltas, ai që të vjedh lopën, të të vjedhë edhe votën? Me çfarë do të tiganiseshin politikisht Edvini, Namiku, Pandeliu, Arta me shokë? Po Gramozi? – do të pyeste ndokush. Mirëpo ai është nga Salaria, ua merr anën kollaj këtyre punëve. Kur isha arsimtar në Dhëmblan, thuajse fqinjë me Salarinë, kisha dëgjuar të thoshin gjysmë me shaka, gjysmë me të vërtetë, se atyre anëve nuk u jepnin nuse djemve, po të mos dinin ta vidhnin dashin e këmborês, ta thernin, ta rripnin dhe ta shkonin në hell mbi krahë të shokut. Lopa, në të vërtetë, është ca e rëndë, por edhe asaj i bëhet çareja.
“Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë / Njërin e kam nip, tjetrin e kam djalë”. Nuk është thënie as e Edvinit, as e Namikut, as e Pandeliut, as e shokëve të mendimtarë të PS-së. Kur ranë dy martina te Plepi i Bilishtit, ata dhe shumë të tjerë më të vjetër nuk kishin ardhur ende në këtë botë. Mirëpo vargjet e këngës erdhën deri në ditët tona, duke e fshirë kufirin mes tragjikes dhe komikes. Te Plepi i Bilishtit u vra Selmani me gjithë të birin. Kë të qante më parë e zeza grua, djalin apo nipin? Mbeti në këngë helmi i saj, për të na e prurë neve me një dozë paksa pikante humori. Kë të qajmë më parë ne të shkretët, në vitin 2010? Të qajmë tragjedianin Namik që po e çudit botën me tragjeditë e tij politike plot kuaj, dele e gomarë? Të qajmë komedianin Pandeli që po bën të shkulen së qeshuri jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit? Të qajmë Artën që ua kalon në pirueta edhe balerinave më në zë të Balshoit? Të qajmë Vasilikën që flet kodra pas bregut? Apo të qajmë politikën e re të Ramës, plot blofe të vjetra komuniste?
O, ç’na gjeti! - do të thoshte Iliri. Mos u tremb, Ilir-o, ti i 55-s! Nuk e kam me ty. E kam me Ilir Beqarajn, mikun tim përmetar, i cili, kur e gjen veten përpara së pabesueshmes, asaj çka është përtej caqeve të mendjes njerëzore, shpërthen me një “O, ç’na gjeti!” është shprehje befasie, brenge, dhimbjeje, pendimi e ç’nuk tjetër.
...