E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dosja e Diktaturës”, një kontribut i Pepës, që duhet ndjekur nga të tjera hulumtime

Kur autori i këtyre veprave të vëllimshme, që po promovohen sot në saje të kujdesit të Ministrisë së Kulturës, pati botuar librin e tij të parë “Dosja e diktaturës”, në v. 1995, dhe e pati paraqitur si “këngë e mjelmës, si vepër e parë dhe e fundit që po ia kushtonte dhimbjes shqiptare”, unë duke menduar lirinë që po hapte krahët në të gjithha sferat e jetës shqiptare dhe sidomos në atë të fjalës e të shtypit të lirë dhe duke e njohur për së afërmi “dhimbjen shqiptare” që ndjente autori, pathosin për drejtësinë, mllefin për krimin dhe një gjakim të paanë për të vërtetën, i pata shkruar: “Lëre mënjëanë ‘këngën e mjelmës’, e marr me mend se je lodhur me dosjet, por edhe ndonjë vepër tjetër si kjo do t’i shërbente më tepër së vërtetës dhe do të ndihmonte që shpirti shqiptar të çlirohej, të qetësohej dhe të fisnikërohej më tej”.


Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. “Dosjen diktaturës” e pasuan vepra të tjera, për të ardhur deri tek botim i dytë i plotësuar i saj, që përbën një ndihmesë me shumë vlerë në vijim të zbulimit “vetëm të majes së përgjakur të ajsbergut” të krimit, siç e pati cilësuar pjesën e parë të kësaj Dosjeje poeti ynë i njohur Visar Zhiti. Fjalë profetike, sepse gjetja e varrezave në Malin me Gropa kohët e fundit po tregon domosdoshmërinë e zbulimit të mëtejshëm të ajsbergut, më së paku, për ta identifikuar krimin e përbindshëm të diktaturës dhe për ta paisur atë edhe me emra të përveçëm të autorëve të tij si dhe për ta qetësuar sadopak shpirtin e plagosur shqiptar.


Para kësaj “Dosjeje . . .”, Pjeter Pepa botoi një vepër tjetër që, gjithashtu, i kushtohet përpjekjeve të tij të pareshtura për identifikimin e krimit: “Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri”, vepër që erdhi si rrjedhim i punës së mundimshme të autorit si anëtar i Komisionit Historik për Kanonizimin e Martirëve shqiptarë.


Vepra, duke pasur të dhëna nga më të ndryshmet, po sidomos historike, për vendin tonë gjatë shekujve, duke pasqyruar gjendjen e besimeve në Shqipëri dhe kryesisht persekutimin e elementit katolik, Kishës Katolike Shqiptare dhe të klerit të këtij besimi gjatë gjithë shekujve që nga fillimi i përhapjes së krishtërimit në vendin tonë në dekadat e para të shekullit i mbas Krishtit e deri në ditët e sotme, dhe, duke vënë në dukje rolin e madh të Kishës e të klerit në shërbim të çështjes kombëtare, kulturës, edukimit dhe emancipimit të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, e tejkalon synimin e saj për t’i shërbyer thjesht Kanonizimit të klerikëve që u martirizuan gjatë viteve të diktaturës dhe fiton dimensione më të hapta të pasqyrimit të martirologjisë shqiptare në përgjithësi.


Edhe pse synimi kryesor në këtë vepër mbetet tek dokumentimi individual i martirizimit të çdo kleriku për t’i shërbyer kanonizimit zyrtar të secilit, dhe në të njëjtën kohë dokumentimit të martirologjisë së Kishës Katolike Shqiptare, që është e do të mbetet unike për atë që pësoi nga diktatura dhe për qëndresën e lavdishme që i bëri asaj. Kjo vepër madhore vjen edhe si plotësim i porosisë së Papës Gjon Pali II, dhënë në Fjalimin e Tij Historik gjatë vizitës në vendin tonë, më 25 prill 1993: “Historia nuk e ka njohur ende atë që ka ngjarë në Shqipëri. Kështu, të dashur shqiptarë, drama juaj duhet t’i interesojë gjithë kontinentit europian! ë shtë e domosdoshme që Europa të mos harrojë!” Këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj vepre jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë Europën. “Dosja e diktaturës II” e shtyn kufirin kohor të trajtesës së lëndës nga viti 1950, ku pati arritur botimi i parë, deri në vitin 1990, vitin e përmbysjes së regjimit kundërnjerëzor komunist. Autori e ka plotësuar botimin e ri me materiale të reja të vjelura nga arkivat, me të dhëna nga familjarët e të ekzekutuarve, me të dhëna nga Shoqata e të Përndjekurve, si dhe me një varg shkrimesh të botuara gjatë kësaj kohe në shtyp, kryesisht, në Gazetën 55.


Vepra që kemi në duar përbën një ndihmesë me shumë vlerë në vijim të zbulimit “vetëm të majës së përgjakur të ajsbergut” të krimit, siç e pati cilësuar pjesën e parë të kësaj Dosjeje poeti ynë i njohur Visar Zhiti. Gjetja e varrezave në Malin me Gropa kohët e fundit po tregon domosdoshmërinë e zbulimit të mëtejshëm të ajsbergut, më së paku, për ta identifikuar krimin e përbindshëm të diktaturës dhe për ta paisur atë edhe me emra të përveçëm të autorëve të tij si dhe për ta qetësuar sadopak shpirtin e plagosur shqiptar dhe për ta çuar më tej procesin e kthimit të dinjitetit njerëzor të nëpërkëmbur.


Le të shërbejë ajo si një shtysë për gjallërimin e kujtesave të topitura të atyre që nuk e dinë dhe nuk e çmojnë se gjaku i viktimave i dëshmuar në faqet e kësaj vepre është dokumenti që himnizon e përlavdon qëndresën e lavdishme të popullit tonë ndaj asaj diktature çmendurisht mizore, medalion i segmentit më të fisëm të shpirtiit shqiptar, që u sakrifikua për hir të kombit e të atdheut për hir të vlerave më humane njerëzore, lirisë e demokracisë, është fara e lirisë që gëzojmë sot dhe që do ta gëzojnë breznitë e së ardhmes! Le të shërbejë kjo vepër si një thirrje solemne për të shmangur harresën, e vetmja rrugë për të mos lejuar historinë të përsëritet; si një thirrje për të na kujtuar se ecja pa kthyer kokën mbrapa është ecje pa krye dhe ecja pa krye të çon vetëm në greminë! Le të shërbejë kjo vepër jo vetëm si një pasqyrë faktike e asaj që ndodhi, a edhe vetëm si një mesazh akuze e revolte ndaj krimit, po edhe si nxitje e frymëzim për një rigjallërim dhe ripërtritje të vlerave morale dhe të ndjenjva humane të shpirtit shqiptar, që diktatura u përpoq për 50 vite ta përçudnojë dhe ta zhbëjë; nxitje e frymëzim për atë rigjallërim e ripërtritje aq të nevojshme për ditët e sotme e të ardhme të atdheut e të kombit tonë! Le t’u shërbejë, gjithashtu, gardës makabre të atyre që u vunë me devocion në shërbim të diktaturës, si një paqyrë ku të shohin turirin monstruoz, të ndyer, të shtrëmbër, keqan e të zi të shpirtit të tyre të çoroditur!


Së fundi, uroj që promovimi i këtyre dy veprave aq të vëllimshme e me aq vlera njohëse e eduktive të mos mjaftohet veç për t’i thurur lavde autorit, kësaj pene të palodhur, ndjenjëmadhe e shpirtfisnike, të çiltër e të etshme për drejtësi, apo për t’i sugjeruar organeve përkatëse për ndonjë vlerësim nderi, çka e meriton plotësisht, a edhe thjesht për të falënderuar organizatorët e kësaj veprimtarie; por, më së tepërmi,- dhe a është më e rëndësishmja, - si një shtysë për ta çuar më tej e për ta bërë sa më të plotë identifikimin e krimit komunist, për ta dënuar atë moralisht dhe për të përjashtuar e shmangur nga detyrat e larta shtetërore ato elementë që i shërbyen krimit!



Fjala e mbajtur në ceremoninë promovimit të librit “Dosja e Diktaturës”, organizuar ditë më parë nën kujdesin e MTKRS-së

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›