E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët: Bojkotin e bëjnë ata që s’e duan Shqipërinë në BE

Në përfundim të vizitës çertifikuese për lëvizjen e lirë, eurodeputetët, në një deklaratë rikonfirmuese, theksuan se liberalizimi i vizave ishte tashmë një realitet i pritshëm e se reformat e institucioneve ishin ndërmarrë me shumë seriozitet, por sqaruan se forcat që ndërmarrin bojkot afërmendsh se nismat politike nuk i kushtëzojnë nga interesi kombëtar i shqiptarëve, që është integrimi i tyre në Europë

“Të gjitha përpjekjet për të bojkotuar punën e Parlamentit në të ardhmen, do të pengonin dhe vështirësonin ambiciet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”. Kështu theksojnë në një deklaratë të përbashkët deputetët e Parlamentit Europian, Eduard Kukan, Jelko Kacin, Simon Busutil, Tanja Fajon dhe Marije Konerlisen. Eurodeputetët u bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë, të vazhdojnë përpjekjet që zgjidhja të gjendet brenda institucioneve demokratike. “Të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë funksionale në mënyrë që të përballojnë sfidat e integrimit europian”, thuhet në deklaratë, në të cilën më tej citohet se debate politik duhet bëhet në këto institucione, vendimet e të cilave duhet të respektohen nga të gjithë.

Po kështu, anëtarët e Parlamentit Europian mirëpritën progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Ata theksojnë se Parlamenti Europian, është i kënaqur me nivelin e përgatitjes teknike për këtë proces. “Jemi gati të mbështesim heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë”, shprehen deputetët, mes tyre edhe koordinatori i grupit më të madh politik në komitetin përgjegjës për çështjen e vizave, Simon Busutil dhe raportuesja për çështjen e vizave Tanja Fajon.

Deklarata e parlamentarëve, e cila certifikon njëherazi edhe përmbushjen e parakushteve teknike të vendosura nga Brukseli dhe ka paranjoftuar marrjen e vendimit për heqjen e regjimit të vizave, brenda muajit prill, u bë pas vizitës së tyre dy ditore në Shqipëri, dhe takimeve me drejtuesit më të, artë të shtetit dhe politikës shqiptare.

Pas këtij rekomandimi, pritet që procedura të vihet në zbatim para nisjes së sezonit të pushimeve verore

Ndërkohë, edhe nga ekspertët kjo vizitë e europarlamentarëve shihet si një konfirmim për plotësimin e standardeve teknike nga ana e Shqipërisë. Krizën aktuale politike ata e shikojnë pa ndikim të drejtpërdrejtë në këtë proces.

Në kontaktet me autoritetet zyrtare dhe përfaqësues të opozitës europarlamentarët janë të përqendruar më shumë tek plotësimi i kritereve teknike për liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirën “Schengen” të BE-së. Delegacioni i Parlamentit Evropian ka vizituar dhe qendrën e përgatitjes se dokumenteve të identifikimit në Tiranë, si dhe sallën operacionale për monitorimin e kufijve e doganave në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Duke mos dashur të bëjnë komente paraprake për median, europarlamentarët priten që vlerësimet e tyre ti bashkëngjisin me ato të dy ekipeve monitoruese që Komisioni Europian ka dërguar më herët në Tiranë.

Nga gjithë kjo vizitë, sipas eurdeputetëve, qeveria shqiptare ka përmbushur detyrimet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ky është konstatimi që ka bërë delegacioni i Parlamentit Europian, i cili ka mbërritur në Tiranë në një vizitë disa-ditore që përfshin një njohje në terren të hapave të hedhura nga vendi ynë.

“Ne si deputetë të Parlamentit Europian do të vazhdojmë të ngremë zërin lart në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt”, tha Kukan, duke shtuar se delegacioni konstatoi në vend funksionimin efikas të të gjithë sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës e lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i paraqitur eurodeputetëve rezultatet e punës përgatitore të qeverisë në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Kryeministri theksoi se të 24 pikat e kalimit kufitar janë unifikuar në sistemin TIMS, i cili funksionon me efikasitet dhe është i ndërlidhur edhe me Interpol-in. Ky sistem kontrolli, u shpreh Kryeministri, funksionon mbi parimin one-stop-shop dhe janë krijuar modelet për e-visa dhe e-lejet e qëndrimit.

Ndërkohë, Berisha u shpreh se është miratuar legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit, si dhe ai për azilin në përputhje me standardet evropiane dhe është vënë në funksion të plotë kontrolli i hapësirës detare me radarë. Shqipëria, theksoi Kryeministri , ka nënshkruar gjithashtu marrëveshjen e ripranimit me të gjitha vendet e BE-së.

Kryeministri Berisha i bëri me dije europarlamentarëve masat e rëndësishme legjislative të miratuara gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi, si ligji antimafia, shtyrja e afatit për moratoriumin për skafet, etj.

Nga ana e tij, eurodeputeti Kukan iu përgjigj se europarlamentarët gjatë vizitës së tyre kanë pasur rastin të vizitojnë dhe ta konstatojnë drejtpërsëdrejti funksionimin efikas të të gjithë sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës tjetër të lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare, si dhe shprehu vlerësimin e grupit të eurodeputetëve se kërkesat teknike të udhërrëfyesit janë plotësuar tashmë nga qeveria shqiptare.

Garancia e dhënë nga delegacioni i Parlamentarëve evropianë, se heqja e vizave me Shqipërinë do të realizohet para pushimeve të verës, e ka zanafillën te deklarata e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili vizitoi Shqipërinë javën e kaluar.

Fule i shprehu kryeministrit Berisha, gjatë një takimit të zhvilluar me të, se Komisioni Evropian do japë propozimin për vizat, brenda muajit prill, duke nënkuptuar mbylljen e procedurave të hyrjes në listën e bardhë të “Schengen”-it, përpara pushimeve të verës.

“Dua të theksoj se për sa i përket veprave, liberalizimi i vizave ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur. Kohët e fundit, Shqipëria ka bërë shumë progres në implementimin e udhërrëfyesit. Kolegët e mi në Komision po punojnë për të prezantuar muajin tjetër një vlerësim, dhe bazuar në të, një propozim se si duhet të veprojë më tej, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian”, deklaroi Komisioneri Fule.


Eduard Kukan, kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore

“Kushtet e vetme teknike, janë plotësuar, të hiqen vizat për Shqipërinë”

Eduard Kukan, kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore, në një prononcim dje, pas vizitës në Shqipëri, rikonfirmoi qëndrimin e tij, për liberalizimin e vizave për shqiptarët, duke qenë se janë përmbushur të gjitha kushtet teknike.

Si e vlerësoni përmbushjen e kushteve të vëna ndaj Shqipërisë për liberalizimin e vizave?

Mund të them, se ne jemi të impresionuar me instrumentet teknikë që janë të nevojshëm për heqjen e vizave afatshkurtra. Ne i kemi parë dhe çdo gjë po ecën siç duhet. Komisioni Europian është shprehur që në fillim, se ka vetëm kushte teknike dhe jo të tjera. Atëherë, nëse këto kushte teknike janë plotësuar, unë jam në favor të heqjes së vizave.

Atëherë, kur ju jeni të kënaqur me progresin, prisni që Komisionit Europian të jetë pozitiv në vlerësim?

Po, do të ishte e ndershme, që kur kushtet që janë vënë për tu përmbushur janë përmbushur, atëherë të shkohet përpara me procesin.

Jelko Kacin, Zëvendëspresidenti i delegacionit për Evropën Juglindore , komenton vizitën në Tiranë

“Vendimi për heqjen e vizave, punë orësh, pranvera do të jetë shumë premtuese”

“Ka shumë lloje progresi. Kushdo që vjen në Shqipëri, kryesisht në Tiranë është i impresionuar me progresin që ka bërë vendi. Kur flasim për kushtet teknike për heqjen e vizave afatshkurtra siç janë prodhimi i kartave të identitetit apo përmbushja e pasaportave biometrike, rregullat e procedura dhe gjithçka, hapat që janë bërë janë impresionues. është shumë evropiane, madje më shumë se standardeve europiane. Por kur vjen puna te klima politike në parlament, ndryshon çështja.

Teknikisht, ju i përmbushni kushtet , por ku i dihet se kur do të hiqen vizat? Qytetarët shqiptarë duan heqjen e vizave tani. Pra ka dhe një pjesë politike të procesit dhe ne duam ta përshpejtojmë këtë proces. Ne po i kërkojmë Komisionit Europian dhe Këshillit të bëjë propozimin jo sa më shpejt të jetë e mundur, por në fillim të pranverës. Fillimi i pranverës është tani punë orësh.

Duhet që klima politike në vend të përmirësohet sa më shpejt. Pranvera po vjen. dimri shkoi. është vërtetë momenti që të provohet sesa pranvera në Shqipëri do të jetë shumë më premtuese sesa dimri”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›