Vazhdon gjuetia ndaj oficerit afganë, që vrau dy amerikanë

Dy amerikanët, që punonin si oficerë në koalicionin e NATO-s, u vranë në Ministrinë e brendshme të Afganistanit, në Kabul.
Zyrtarë të paidentifikuar afganë thanë se i dyshuari kryesor, një oficer policie, që kishte punuar për Departamentin e inteligjencës në këtë ministri, është zhdukur pas sulmit.
BBC-ja ka cituar zyrtarët për kundër-terrorizëm, që të dyshuarin e kanë identifikuar si Abdul Sabur, 25 vjeçar.
NATO-ja ka thënë se i gjithë personeli i saj do të tërhiqet nga ministritë afgane pas vrasjeve.
Komandanti i NATO-s në Afganistan, gjenerali, John Allen, tha sot se për shkaqe mbrojtëse janë ndërmarrë “masa të menjëhershme” për tërheqjen e personelit.
Përgjegjësinë për këtë sulm e kanë marrë talebanët afganë, duke thënë se ai është bërë në shenjë hakmarrjeje për djegien e kopjeve të Kuranit në një bazë të NATO-s në Afganistan.
Ky incident ka shkaktuar edhe protesta disaditëshe në disa provinca në Afganistan.