E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perla të tingujve klasikë, në stinën koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH

Vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe botërorë, në Shkurt për publikun
Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH vijon të mbushë me tinguj klasikë skenën e Akademisë së Arteve. Edhe në vijim të këtij sezoni artistik nga drejtuesit e kësaj stine koncertore bëhet e ditur se për publikun do të vijnë artistë të njohur nga vendi dhe bota, të cilët do të performojnë të shoqëruara nga Orkestra Simfonike e RTSH. Për veprat që do të interpretohen, ato i takojnë autorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë. Oleg Arapi drejtori artistik i

orkestrës premton për një sezon të pasur artistik. Ashtu si dhe vitin e kaluar në vijim të kësaj stine koncertore ne do të sjellim për publikun emra të njohur artistësh të huaj por dhe shqiptarë, të cilët padyshim që do të mirëpriten nga publiku, pohon Arapi. E ndërkohë që disa ditë më parë Orkestra e RTSH-së i parapriu hapjes së stinës koncertore me një koncert që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes në Akademinë e Arteve, ku e ftuar ishte pianistja koreane Song Se Jim. Në këtë mbrëmje koncertore artisja interpretoji pjesët: Koncert për piano nr 5, opera 33 nga Bethoven, "Simfonia nr 2, op.43" Sibelius dhe premierën shqiptare të kompozitorit Aleksandër Vezuli "Vallja shqiptare nr.1 për Simfoni dhe Orkestër". Dirigjent i koncertit ishte Jetmir Barbullushi, ndërsa udhëheqës artistik Oleg Arapi. Kompozitori Aleksandër Vezuli ka shkruar rreth 9 vepra klasike midis të cilave Vallet Shqiptare Nr.1, Nr.2, Rapsodinë Shqiptare etj. Është pranuar si anëtar kompozitor në Shoqatën Belge (SABAM ) dhe atë Amerikane (ASCAP në vitin 1998). Koreania Son Se Jin lindi në Seul të Koresë së Jugut në vitin 1981. Filloi të luajë në piano që në moshën 5- vjeçare. Në vitin 1992 vazhdoi studimet në Shkollën Qendrore Muzikore pranë Konservatorit "Tchaikovsky" të Moskës. Pas mbarimit të konservatorit, kryen edhe Master-in pranë këtij konservatori. Pianistja është laureate e çmimeve të ndryshme ndërkombëtare. Ka luajtur dhe vazhdon të luajë me sukses  të madh koncerte në vende të ndryshme të botës si: Rusi ( në veçanti në Moskë), ne SH.B.A. në Francë, Gjermani, Angli, Spanjë, në Korenë e Jugut etj. Duke filluar nga viti 2007 Song Se Jin është anëtare e përhershme e jurisë të konkursit të muzikës sllave në Moskë. Po ashtu dhe dirigjenti Jetmir Barbullushi është një emër i njohur. Ai diplomohet në vitin 1983 në klasën e prof. Mustafa Krantes dhe punon dirigjent në Filarmoninë e qytetit të Shkodrës, duke qenë fitues i çmimit të dytë në takimin kombëtar të Orkestrave Simfonike 1989. Në vitin 1993 emërohet dirigjent i Orkestrës së Radiotelivizionit Shqiptar, ku vazhdon të jetë dhe tani. Ka drejtuar koncerte të shumtë me këtë orkestër si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij, si Greqi, Itali., Mal të Zi, Maqedoni, Kosove etj. Gjithashtu ka drejtuar mjaft formacione të ndryshme muzikore në Amerikë, Zvicër, Gjermani, Itali. Me orkestrën e RTSH ka bërë incizime në studio të veprave shqiptare dhe të huaja dhe kompakt diskun e parë shqiptar të kësaj orkestre me kompozitor të njohur  bashkëkohore si S.Kaligaris (Itali) etj. Është drejtues i shumë prej Festivaleve të Këngës në RTSH, njëkohësisht kompozitor dhe orkestrues i mjaft këngëve të njohura shqiptare për fëmijë dhe të rritur, përpunime të ndryshme për kor e orkestër, muzikë popullore dhe të lehtë. Aktiviteti i tij dirizhues njihet që kur ka qenë student me orkestrën simfonike të Akademisë së Arteve në Dekadat e Majit dhe me formacionin e harqeve të kësaj Akademie, ku është vlerësuar me çmime qysh student. Momentalisht është edhe pedagog në Akademinë e Arteve në klasën e dirizhimit.Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›