E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombet e Bashkuara, 2 milionë dollarë INSTAT për dixhitalizimin e adresave

Dixhitalizimi i hartave të regjistrimit të popullsisë do të përpilohet nga INSTAT. Kjo do të arrihet dhe në sajë të pajisjeve moderne që ka dhuruar fondi i Kombeve të Bashkuara për popullsinë. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsisë i ka akorduar Institutit të Statistikave shumën prej 2 milionë dollarë mbi Regjistrimin e popullsisë dhe Banesave që do të kryhet në vitin 2011. Në ceremoninë e takimit morën pjesë drejtuesit më të lartë të INSTAT dhe përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri si dhe vetë shefja e Misionit të OKB-së,

Gulden Turkoz Cosslett. Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, tha se regjistrimi i popullsisë dhe banesave është një proces mjaft i rëndësishëm, ndërkohë që futja në zbatim e bazës së të dhënave hartografike të regjistrimit të popullsisë do të shërbeje dhe për krijimin e infrastrukturës së të dhënave hapësinore kombëtare, për statistikat si dhe anketimet që bëhen nga INSTAT. Për herë të parë dixhitalizimi i popullsisë do bëhet përmes dixhitalizimit dhe për këtë UNFPA ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe si nga ana e ngritjes së kapaciteteve logjistike ashtu dhe nga ana e ndihmës për një ekspertizë të huaj dhe njëkohësisht për të azhornuar hartat në teren,  tha Nurja. Ndërsa përfaqësuesja e UNFPA në vendin tone, u shpreh se  mbështetja e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave është një prioritet kryesor i Kombeve të Bashkuara, pasi të dhënat do ti sigurojnë qeverisë shqiptare informacion të detajuar që të drejtojë procesin në vendimmarrje politike për një planifikim më të plotë social- ekonomik për dhjetë vjeçarin e ardhshëm. Është kënaqësi që jemi mbledhur sot me rastin e dhurimit të pajisjeve për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Këto pajisje do të përdoren nga Sektori i Hartografisë së INSTAT-it dhe me ndihmën tyre INSTAT do të ketë mundësi të konvertojë hartat e regjistrimit në një bazë të dhënash hartografike të regjistrimit të popullsisë , pra dixhitalizimin e hartave të zonave të regjistrimit, të procesojë dhe të kodojë të dhënat dhe të përpilojë e prodhojë harta me mbulim të gjerë, u shpreh Cosslett. Ky dhurim është pjesë e angazhimit financiar prej 2 milion dollarësh që fondi i Kombeve të Bashkuara  ka planifikuar të mbështesë qeverinë shqiptare në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Kështu futja në zbatim e bazës së të dhënave hartografike të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave do të kontribuojë gjithashtu në krijimin e Infrastrukturës së të Dhënave Hapësinore Kombëtare për statistikat, sipas standardeve dhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›