E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përlahen Grabovci e Krasniqi

Debatet mes Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe deputetëve të subjektit të tij politik, PDK’së, gati sa nuk kanë kaluar në përleshje fizike në seancën e sotshme parlamentare, ku duhet të diskutohet për procesin e privatizimit.

Kësaj radhe, dueli është zhvilluar mes Jakup Krasniqit dhe Adem Grabovcit.

“Nuk pranojmë që asnjë pikë e rendit të ditës dhe seanca nuk do të fillojë punimet pa u votuar mocionet e djeshme”, ka deklaruar Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së.

Kjo ka nxitur reagimin e Kryeparlamentarit, i cili ka lexuar pjesë të Rregullores së Kuvendit.

“Rregullorja mund të anashkalohet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Pa u bërë anashkalimi nuk mund të hyjnë këto dy rezoluta në rend të ditës. Jam i obliguar ta procedojë punën sipas rregullores së punës dhe jo sipas dëshirës së asnjë deputeti, e as sipas dëshirës së një grupi parlamentar”, ka thënë ai.

Kjo qasje s’i ka pëlqyer Adem Grabovcit.

“Është dashur t’i lexoni këto dje”, ka reaguar ai.

“Po t’i lexoj sot se është dashur t’i lexosh ti. Unë veproj sipas rregullores dhe jo sipas urdhërit tënd”, është kundërpërgjigjur Krasniqi me ton të lartë.

Kryetari i Kuvendit i ka thënë Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së që nëse nuk i rrihet në seancë të del jashtë.

“T’u nejt rri, mos t’u nejt - del jashtë”, ka thënë Krasniqi.

“Dalim bashkë”, është përgjigjur Grabovci.

Situata në Kuvend është acaruar edhe më shumë mes dy zyrtarëve të PDK’së.

“Jo s’dal, provo a dal jashtë a s’dal jashtë”, ka reaguar përsëri Krasniqi.

Pas kësaj përplasje, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së ka kërkuar dhjetë minuta pauzë, ndërsa Kryetari i Kuvendit u ka dhënë deputetët edhe pesë minuta më shumë kohë për t’u kthyer në seancë.

Seanca pritet të vazhdojë pas diskutimeve që janë duke mbajtur grupet parlamentare të të gjitha partive në Parlament.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›