E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosregjistrimi në fazën e parë, kalon në skualifikim

Inspektori i DART, Mesi udhëzon 20 mijë kandidatë të regjistrohen në fazën e parë, në të kundërt, nuk përfitojnë ngritje në preferencë

Udhëzimi

Kandidatët për studentë duhet të regjistrohen në fazën e parë të regjistrimeve, edhe nëse nuk u pëlqen preferenca e parë. Kjo duhet të bëhet në mënyrë të detyrueshme, në të kundërt, do të humbasin përfundimisht shansin për të përfituar ndonjë preferencë më të lartë nga vendet e mbetura bosh pas regjistrimit të parë. Kështu u shpreh për gazetën “Shekulli” specialisti i Maturës Shtetërore pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës, Muhamet Mesi, i cili udhëzon rreth 20 mijë kandidatët për studentë që të mos gabojnë në këtë pikë duke braktisur regjistrimin.

Regjistrimi

“Është e udhës në këto momente të udhëzohen të gjithë maturantët kandidatë për në universitet, të regjistrohen sapo të dalin rezultatet. Kjo do të thotë se këtë vit, në lidhje me regjistrimet në universitetet publike, kandidatit, i pëlqen apo nuk i pëlqen dega, duhet të bëhet regjistrimi i parë”,- pohon Mesi duke shpjeguar se pas kësaj, sapo të dalë Libri i Transparencës çdo kandidat është i mundshëm të fitojë vetëm ngritjen në preferencë por nëse ata nuk regjistrohen, emrat u fshihen nga kompjuteri dhe këto nuk i nënshtrohen llogaritjes për të shkuar një degë më lart.

Arsyet

Inspektori i DART për Maturën Shtetërore shpjegon arsyet se përse kandidatëve u digjet e drejta për t’u ngritur në ndonjë preferencë më lart, nëse nuk regjistrohen në fazën e parë. “Një nga arsyet kryesore pse kandidati duhet të bëjë regjistrimin e parë është sepse shumë nxënës që dalin me studime jashtë shtetit, kur bëhen regjistrimet në universitetet publike nuk janë në Shqipëri dhe nuk kanë dokumente origjinale, kështu që nuk mund të regjistrohen pa këto dokumente”,- pohon Mesi. Si rrjedhojë e kësaj, këto vende ngelen bosh pasi të bëhen regjistrimet e fazës së parë dhe merren në shënim të gjitha vendet bosh dhe plotësohen. Pas kësaj specialisti shpjegon se edhe njëherë futen në kompjuter dhe kompjuteri i dërgon gjithnjë në një preferencë më lartë dhe asnjëherë në një preferencë më poshtë. Ndërkohë Mesi shpjegon se vende bosh nga regjistrimi i parë mund të krijohen edhe nga kandidatë të cilët vendosin të studiojnë në universitet private. Ndërsa disa prej tyre mund të kenë hequr dorë, për këtë vit, për të vazhduar ndonjë degë në universitet.

Mesi: Vitin e kaluar humbën shansin mijëra kandidatë

Gabimi i mosregjistrimit në fazën e parë u kushtoi vjet përfitimin e ndonjë preference më të lartë mijëra kandidatëve për studentë. Për këtë arsye, specialisti pranë DART-it, Muhamet Mesi pohon se këtë vit kanë vendosur të japin udhëzimin që të mos heqin dorë nga regjistrimi i parë . “Fakti që nuk e kanë pëlqyer degën që u ka dalë në fazën e parë, nga dëshpërimi kanë vendosur të heqin dorë nga regjistrimi, po kjo u kushtoi shumë vitin e kaluar kandidatëve për studentë pasi ata humbën mundësinë të përfitonin nga vendet bosh në fazën e dytë”,- pohon Mesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›