E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër Kryeministrit nga ky vend i sukseseve dhe bollëkut

Ndonëse shoqëria shqiptare përballet me një mal problemesh të mprehta që na preokupojnë dhe na shqetësojnë seriozisht ne qytetarët, Kryeministri ynë vazhdon të jetë përherë në delir, të japë intervista dhe deklarata pompoze duke pushtuar ekranet televizive nga mëngjesi në mbrëmje.

Kryeministri është pasionuar pas dukjes dhe jo pas thelbit. Ai mund të gdhihet në Sarandë e të ngryset në Shkodër, madje të gdhihet në Peqin e të ngryset në Pekin, por kur kjo bëhet vetëm që të dilet në TV, është punë pa bukë.

Të gjithë funksionarët e mazhorancës qeverisëse me në krye Primaministrin, nxitojnë në ekzaltim të shpalosin e të numërojnë sukseset e paarritura e që nuk duken gjëkundi. Populli thotë: “Ti zot dhe unë zot, po gomarin kush e kullot?”.

Shtrenjtësia dhe inflacioni ka boshatisur xhepat e qytetarëve, duke e bërë të pamundur përballimin e jetës e në veçanti të shtresës me të ardhura të pakta e të pensionistëve, mungesa e tregut të punës po streson, parazitëson dhe depresionon njerëzit e moshës aktive që u hanë duart për punë, kudo e gjithandej, nga Veriu në Jug vazhdon rituali i ndërprerjes së energjisë elektrike dhe mungesës së ujit të pijshëm, madje edhe në qendrat e mëdha urbane si Tirana, Durrësi, Shkodra, etj.

Problem shqetësues dhe gangrenizues është bërë mungesa e rendit, qetësisë dhe sigurisë, që po shoqërohet dukshëm me rishfaqjen e maskave e të hajdutëve, hakmarrja dhe vetëgjyqësia janë rigjallëruar, pa folur këtu për vetëflijimin dhe aksidentet e përditshme automobilistike.

Po kështu etja e shfrenuar për para dhe pasuri miliardëshe, të tundshme dhe të patundshme, ka bërë që jo pak politikanë e qeveritarë të joshen e të përfshihen në afera korruptive pasi fenomeni korrupsion është prezent, i ka rrënjët e thella, po lulëzon e përshkallëzohet në përmasa dramatike ndonëse u deklarua se se ai do të luftohet me tolerancë.

Bashkëshoqëruese e tërë kësaj problematike të mbingarkuar është shërbimi shëndetësor spitalor i cili është katandisur në gjendje skandaloze pasi mungojnë jo vetëm aparaturat, ilaçet, por edhe detergjentet pastrues, letra, ezhe si dhe tërë masat higjieno-sanitare.

Problemet i kemi aq afër e fare pranë, ato janë mëse evidente, të dukshme, të prekshme e fare të dallueshme sa mund ti kapësh fare lehtë me dorë por fatkeqësisht, politikanët dhe qeveritarët u qëndrojnë atyre përherë e më larg, u kanë kthyer kurrizin dhe i kanë abandonuar, shpërfillur dhe anashkaluar duke bërë vetëm propagandë e demagogji. Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, me sa duket është e vetmja gjë që u intereson.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›