E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje në Tepelenë, policia arreston katër nga pjesëmarrësit në protestë

Tensioni Mbështetësit e PS arritën të kalonin kordonin policor dhe të bllokonin për 30 minuta rrugën

Brena harkut të dhjetë ditëve në qytetin e Tepelenës u zhvillua dje protesta e dytë e anëtarëve dhe përkrahësve të socialistëve në mbështetje të grevistëve të urisë në Tiranë, por ndryshe nga protesta e parë, e mbajtur më 5 maj, protesta e djeshme është shoqëruar me konfrontime mes policisë dhe protestuesve. Para fillimit të protestës, një kordon policor është vendosur në vendin e paralajmëruar për zhvillimin e protestës në sheshin qendror të qytetit, ku qëndron i vendosur monumenti i Ali Pashë Tepelenës, por që njëkohësisht kalon edhe rruga nacionale Tiranë- Kakavijë. Qëllimi i forcave të shumta të policisë ishte që të kufizohej dhe segmentohej vendi i protestës nga rruga nacionale dhe nëpërmjet këtij kordoni të gjatë të mos lejohej që protestuesit të bllokonin rrugën. Para dhe gjatë fillimit të protestës, policia u ka bërë thirrje protestuesve që të respektojnë ligjin e tubimeve dhe të mos bllokojnë qarkullimin e automjeteve në rrugë, duke u kujtuar edhe nenin që e konsideron këtë veprim si vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënim deri në tre vjet burg. Në krye të grupit të protestuesve ka qenë deputetja socialiste e qarkut, Arta Dade. Fillimi i protestës ka qenë i qetë në atë pjesë të sheshit ku nga organizatorët ishte marrë më parë edhe leja. Por kjo qetësi zgjati fare pak, pasi pjesëmarrësit në protestë, mes të cilëve edhe deputetja Dade i janë drejtuar kordonit policor të vendosur në mbrojtje të rrugës nacionale në pikën hyrëse të qytetit të Tepelenës. Vërshimi i grupit të protestuesve që synonte bllokimin e rrugën, kësaj here nuk është toleruar nga uniformat e policisë, të cilët kanë shtrënguar radhët dhe janë konfrontuar fizikisht me protestuesit. Protestuesit, duke shfrytëzuar edhe terrenin e gjerë, kanë mundur që në disa pika të depërtojnë dhe të bllokojnë rrugën kombëtare për rreth 20-30 minuta, pasi një pjesë e vogël e protestuesve që kanë kaluar kordonin policor janë ulur në tokë. Rreth orës 13:40, afërsisht 30 minuta pas fillimit të tubimit, protestuesit janë larguar nga rruga dhe sheshi është zbrazur. Burime nga organizatorët e protestës bënë të ditur se pas përfundimit të mitingut në sheshin qendror të Tepelenës, policia ka bërë ndalimin dhe shoqërimin për në komisariat të disa protestuesve, mes tyre edhe një femër. Policia ka shkuar në disa banesa dhe ka shoqëruar protestuesit Gëzim çunaj, Besa Pata, Astrit Basha, Novruz Shehu, Luan Gërbi dhe Përparim Hodo. Pas arrestimeve, familjarë të këtyre personave janë grumbulluar para dyerve të komisariatit të policisë, duke kërkuar lirimin e protestuesve të ndaluar. Drejtori i policisë së qarkut, Emir Vata, tha se këto janë veprime ligjore të policisë në ngjarje të tilla. Në orët e mbrëmjes, policia liroi dy prej personave të shoqëruar: 75-vjeçarin Gëzim çunaj dhe 55-vjeçaren Besa Pata.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›