Balla: Përshkallëzimi i pas 14 majit sapo ka nisur
çfarë mund të pritet pas protestës së 14 majit të paralajmëruar nga opozita me në krye Partinë Socialiste? Sipas deputetit socialist, Taulant Balla, një ide rreth asaj që qëndron pas përshkallëzimit të situatës dhe qëndresës së opozitës mund të krijohet nga ngjarjet e dy ditëve të fundit. Bllokimi i rrugëve nacionale, është kështu një hap që mund të lexohet si parantezë e asaj që PS ka menduar të vërë në zbatim nëse për kërkesat e saj qeveria do të vijojë të ofrojë JO-në e deritanishme.
Zoti Balla, si është dita e një pjesëmarrësi në grevë urie?
Asnjë ditë nuk është e ngjashme, sepse çdo ditë që kalon gjendja shëndetësore vazhdon të përkeqësohet. Përgjatë ditës ne bëjmë disa herë ekzaminim të tensionit, elektrokardiogramë, ndërsa për ata që janë më rëndë doktorët vendosin t’u japin serum. Dita është shumë e vështirë, sepse temperaturat e larta e bëjnë pothuajse të pamundur qëndrimin në çadër.
Kanë kaluar më shumë se 10 ditë dhe normalisht kurioziteti i njerëzve nxit pyetjen sesi përballohet kjo situatë nga rreth 200 njerëz që kanë ndërmarrë një grevë urie në përmasa të panjohura deri më tani në Shqipëri?
Unë besoj se kjo grevë urie, siç e thatë dhe ju në përmasa të papara ndonjëherë në Shqipëri, ka sot mbështetjen e çdo shqiptari që e do vendin e vet. Ne jemi në këtë grevë urie për çështje të mëdha, për një kauzë, që shqiptarët kanë 20 vjet që e presin. Shqipëria duhet të ndahet përfundimisht nga reminishencat e vjetra diktatoriale të një familjeje që merr dhe mban pushtetin me forcë, të një familje që e ka kthyer korrupsionin në strukturë shtetërore, ndërsa prokurorinë dhe gjykatën e tremb sa herë i preken interesat. Ne jemi në këtë grevë urie për t’u dhënë shqiptarëve një qeverisje më të mirë, që ofron punësim dhe mundësi reale zhvillimi për çdo zonë të Shqipërisë. Unë jam në këtë grevë për ata mijëra të papunë të Librazhdit e Përrenjasit, për ato mijëra familje që vuajnë çdo ditë varfërinë, pamundësinë për të garantuar ushqimet dhe mallrat bazë. Unë jam në këtë grevë urie për rininë e Librazhdit të cilët edhe pse me diploma nuk ju jepet sot asnjë mundësi t’i provojnë njohuritë dhe përgatitjen e tyre në tregun e punës. Jam në këtë grevë urie dhe për mësuesit e infermieret, të shndërruar sot në skllevër të presionit shtetëror. Për këto arsye që unë rendita më sipër ne i përballojmë me kurajë dhimbjet e trupit, duke qenë të shëndoshë në shpirt dhe moral.
Grevistët kanë publikuar një dokument që mund të konsiderohet si bazë negocimi e PS-së për zgjidhjen e krizës. A do të ketë lëshime përtej këtij dokumenti dhe si e parashikoni aktualisht perspektivën e krizës politike?
Ne grevistët kemi bërë me dije tashmë dokumentin e kushteve përmes të cilave Partia Socialiste është e gatshme të negociojë dhe të dialogojë me palën tjetër. Në krye të kushteve tona qëndron kërkesa për transparencën e pakushtëzuar, përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë – jo për efekt të ndryshimit të rezultatit, po për efekt të nxjerrjes së problemeve e përgjegjësive në zbatimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor – dhe duke e shtrirë rrezen e hetimit mbi të gjithë problematikën e vënies së shtetit në shërbim të pushtetit për qëllime elektorale duke qenë të hapur për të pranuar lidhur me qasjen ndaj kutive çdo zgjidhje të negociuar që garanton transparencën pa sfiduar tërësinë e rezultatit të zgjedhjeve. Ne duam t’u jepet fund praktikave të kundërligjshme e të rrezikshme të dizinformimit dhe manipulimit të publikut me shifra ekonomike të deformuara për qëllime politike që nuk reflektojnë realitetin e ekonomisë shqiptare. Ne kërkojmë mirëfunksionim transparent të Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve dhe të Radio Televizionit Shqiptar, përmes miratimit me konsensus të një kuadri të ligjor dhe rregullator të standardeve të Bashkimit Europian, si edhe pranimit të një ekuilibri të ri në bordet përkatëse të tyre. Në frymën e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit është e domosdoshme që përzgjedhja e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të realizohet përmes miratimit me konsensus parlamentar të kandidaturave të zgjedhura, bazuar në kritere të meritës dhe profesionalizmit e jashtë ndikimeve politike si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës. Në respekt edhe të detyrimeve që vijnë nga raportet e Bashkimit Europian ne kërkojmë transparencë në funksionimin e Kuvendit me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj qeverisë, përfaqësimin e ekuilibruar të shumicës dhe të opozitës në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe delegacionet parlamentare, kufizimin e imunitetit ndaj akuzave për korrupsion dhe arritjen e konsensusit për miratimin e një sërë ligjeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
Dhe në fund ne duam transparencë mbi hetimin e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, që do të garantonte zbardhjen e menjëhershme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vrasjes. Këto janë kushtet tona dhe ju them, greva jonë nuk ndërpritet nëse kushtet tona nuk plotësohen.
Z. Balla, sipas mendimit tuaj, nëse qeveria nuk do të lëshojë pas tubimit të 14 majit, cilat do të ishin masat përshkallëzuese që do të ndërmerreshin për të detyruar kompromisin? Më saktë, çfarë përshkallëzimi mund të mendohet përtej grevës së urisë?
Unë i bëj thirrje sot Sali Berishës të pranojë të drejtat tona deri të premten, më 14 maj. Masat përshkallëzuese tashmë kanë filluar. Se çfarë do të ndodhë më 14 maj dhe më pas, duhet të prisni edhe dy ditë.
#