Shpërndahet me dhunë protesta e socialistëve në Korçë

Degjeneron në përleshje mes qytetarëve dhe policisë protesta e socialistëve në Korçë. Forca të shumta policore, forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe speciale kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën, e cila i është shmangur rrethimit policor për të bllokuar rrugën nacionale, duke kaluar në përplasje fizike për shkak të largimit me forcë të protestuesve të majtë.
Gjithçka ka ndodhur në aksin nacional Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit çërravë, aty ku simpatizantë të opozitës dhe deputetë të Partisë Socialiste janë grumbulluar për të protestuar dhe për të bllokuar me forcë rrugën. Ka mjaftuar dalja e turmës në rrugë pas rrethimit të bërë nga forca të shumta policie që të nisin përplasjet dhe konfrontimet me policinë, ku nuk ka munguar përdorimi i shkopinjve të gomës dhe i një lënde të ngjashme me gazin lotsjellës.
Protestuesit që janë grumbulluar në rrugën nacionale, duke çarë rrethimin e policisë, kanë përjetuar panik kur ju është hedhur në sy një lëndë e ngjashme me gazin lotsjellës. Dhjetëra persona të plagosur dhe me gjendje të fikëti, për shkak të lëndës kimike janë rrëzuar në tokë dhe më pas janë ndihmuar me ujë për të kaluar gjendjen jo të mirë shëndetësore. Një pjesë e protestuesve kanë përfunduar në spital, ku janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Një përplasje dhe konfrontim mes policisë dhe protestuesve të majtë ka çuar në këtë situatë, mes të cilëve edhe përplasja me deputetët socialistë të zonës Pandeli Majko, Alfred Dalipi dhe Mimi Kodheli, që kanë qenë bashkë me turmën e protestuesve dhe të rrethuar nga uniformat policore. Të paktën dhjetë persona i janë drejtuar spitalit për shkak të gjendjes me dhembje koke, djegie të syve edhe pse nuk kanë pasur plagë apo dëmtime trupore nga përplasja me policinë. Për më shumë se një orë, protestuesit që janë përpjekur të bllokojnë rrugën nacionale, nuk kanë mundur të realizojnë qëllimin e tyre, ndërkohë që debatet kanë vijuar edhe mes deputetëve dhe policisë, për shkak të ndërhyrjes së kësaj të fundit për të larguar me forcë protestuesit e majtë.
“Na kanë goditur me shkopinj gome. Kam shenja në krahë dhe në dy na hodhën gaz”, tha një nga të dëmtuarit. Mimi Kodheli, Pandeli Majko dhe Alfred Dalipi kanë reaguar menjëherë për këtë incident. “Kjo dhunë është një rast i paprecedentë, i ndikuar direkt nga urdhrat për të larguar me forcë simpatizantët e opozitës që protestojnë në rrugë”, u shpreh Kodheli. Deputetët socialistë kanë bërë një kallëzim penal pranë prokurorisë ndaj policisë. “Kemi bërë kallëzim penal pranë prokurorisë ndaj komandantit të forcave speciale, Ivzi Bushati, dhe drejtorit të Policisë së Korçës, Berndard Caushaj për ushtrim dhune. Kërkojmë që prokuroria të hetojë këtë rast dhe të gjithë personat që kanë qenë të veshur, pasi nuk rezultojnë të jenë të policisë lokale, por të sjellë nga Veriu, të paktën për nga dialekti që flisnin. Urdhri për këtë ndërhyrje është marrë nga ministria”, tha Alfred Dalipi. Kallëzimi është bërë për ushtrim dhune dhe shpërdorim detyre. Nga ana e saj, policia ka reaguar, duke thënë se protesta ka qenë e paligjshme dhe e pa njoftuar. Policia e Korçës ka deklaruar se në protestë nuk është shënuar asnjë rast dhune dhe nuk është përdorur gazi lotsjellës. “Nga ana e pjesëmarrësve u tentua për bllokimin e qarkullimit të mjeteve, duke arritur pengimin e kalimit. Me ndërhyrjen e forcave të policisë u bë thirrje disa herë për mosbllokimin e rrugës. Nga pjesëmarrësit në tubim, krahas parullave për hapjen e kutive të votimit dhe kundër qeverisë, pati edhe fyerje në drejtim të punonjësve të policisë. Qëndrimi dhe ndërhyrja e forcave të policisë ka qenë korrekte dhe nuk është përdorur gaz lotsjellës apo lëndë të tjera, apo mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim”, thuhet në një deklaratë të Policisë së Korçës.
#