E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti, ish-drejtori i policisë padit shefin për kompanitë e Sigurisë

Intervistoi: Habjon Hasani

Ish- drejtori i policisë së Tiranës, Pashk Tusha ka depozituar dje në Prokurori një padi penale ndaj shefit të sektorit për Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike. Në cilësinë e përfaqësuesit të një kompanie sigurie, ai akuzon Fatos Çervenishtin se duke përdorur pozicionin e tij, është përpjekur të ndryshojë një kontratë për sigurinë e një institucioni. Në një intervistë për “MAPO”-n, ish-drejtuesi i policisë denoncon incidentin dhe sqaron shkaqet që e shtynë drejt padisë penale.

Zoti Tusha, keni bërë një denoncim në prokurori ndaj një zyrtari të policisë së Tiranës. Cila është historia?

Rreth orës 11:00 i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës me padi penale ndaj një zyrtari të Policisë së Shtetit, me detyrë shef i Sektorit të Shoqërive të Ruajtjes Fizike në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, zotit Fatos Çervenishti. E akuzoj për veprime arbitrare në bazë të dispozitave të Kodit Penal, pasi ka vepruar ndaj meje personalisht si dhe ndaj biznesit tim të vogël, ku unë jam drejtues teknik i shoqërisë së ruajtjes dhe sigurisë fizike për afërsisht 17 punonjës sigurie. Këtë shoqëri e kam krijuar që në vitin 2005, sapo më ka larguar nga Policia e Shtetit Igli Toska.

ǒmotive mund të ketë një zyrtar policie për të ndërrmarë këto veprime të kundraligjshme ndaj jush zoti Tusha?

Së pari, mendoj që është motiv hakmarrjeje, për arsye se në prill të vitit 2003, në funksionin e drejtorit të policisë së Durrësit, një politikan, deputet i parlamentit të asaj kohe kërkonte me çdo kusht në disa takime me mua, që ky oficer, në atë kohë inspektor në degën e antiterrorit në drejtori, të emërohej shef i komisariatit të Policisë së Qarkut të Durrësit.

Kush është deputeti?

Është ish-deputet, emrin për momentin nuk e bëj publik. Nëse do më kërkohet nga organi i hetimit do t’ua them. Në respekt të këtij deputeti, pasi mora informacion nga struktura e Shërbimit të Brendshëm si dhe një relacion me shkrim nga zyra e personelit në vitin 2003, më rezultonte se efektivi Fatos Çervenishti nuk plotësonte kriteret profesionale. Mbi këto të dhëna, organizova takim me deputettin dhe ia bëra prezent gjithçka munda të mësoj. Po ta shikoja personalisht në atë kohë këtë oficer unë nuk e njihja. Deputeti insistonte se kishte biseduar asokohe me ministrin Luan Rama dhe se ai nuk e kundërshtonte këtë kandidaturë. Unë menjëherë kam kërkuar takim me ish- ministrin e Brendshëm, Luan Rama dhe i kam bërë të ditur se nëse emërohet në detyrën e Shefit të komisariatit një oficer me një dosje të tillë, unë do të jepja dorëheqjen. Ministri nuk e kundërshtoi mendimin tim dhe mori vendimin që ai të mos emërohet. Që në atë kohë, këtë oficer e kam takuar më datën 2 gusht të këtij viti, në zyrën e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, gjatë ballafaqimit pas presionit dhe abuzimit që ai bëri ndaj meje në të njëjtën datë.

Ku konsiston abuzimi?

Unë siguroj një institucion me kontratë sigurie, deri në dhjetor të këtij viti. Ky kërkonte që të njëjtin institucion sigurie ta merrte një tjetër kompani, e cila nuk kishte asnjë kontratë me subjektin që do të sigurohej. Në datën 2 korrik, rreth orës 15:00, nëpërmjet një kolegut tim të punës më kërkoi t’i shkoj në zyrë. Unë nëpërmjet kolegut tim i transmetova përgjigjen time, duke i bërë të ditur se unë pa një urdhër zyrtar dhe shkresë zyrtare nuk shkoja në zyrat e policisë. Siç më thotë kolegu im, oficeri Fatos Çervenishti i ka shprehur kolegut tim se kontrolli do të bëhet pasi nuk keni sjellë kopjen e kontratës së ruajtjes së objektit dhe për këtë arsye do t’u gjobis me 2 milionë lekë. Njëkohësisht, urdhëron dy vartës të tij për të bërë një kontroll ugjent tek roja në shërbim, nëse është i pajisur me licencë apo jo. Sapo jam larguar unë nga roja i sigurisë së objektit kanë shkuar dy vartësit e Fatos Çervenishtit dhe i kam gjetur duke plotësuar një procesverbal për të gjobitur rojen, i cili ka shërbyer 30 vjet në polici me detyrën inspektor rendi, i licencuar nga drejtoria e Policisë së Lezhës si roje private i armatosur. Në moment kam shkuar vetë dhe nuk kam lejuar të vazhdonin më tutje kontrollin, sepse isha unë drejtuesi teknik dhe s’mund të vazhdonin me kontrolle pa më vënë më parë mua në dijeni, për prezencën e tyre në objekt. Këto dy punonjës policie me të shkuar në drejtori, plotësojnë raportin e shërbimit ndaj veprimeve të mia. Nga burime konfidenciale mësova se unë do të shoqërohesha me punonjës policie. I kërkova një takim urgjent zv. drejtorit të qarkut, Gjergj Jorgos, i cili më tha se do takoheshim në orën 19:30. Unë largohem nga banesa në orën 18:30, duke pasur si qëllim që të mos shoqërohesha me forcë policore dhe rreth orës 19:00 kam telefonuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Hysni Burgaj të cilit i kam kërkuar një përfaqësues nga drejtoria e Përgjithshme që të ishte i pranishëm në procesin e marrjes në pyetje që do më bëhej mua. Në takimin që u zhvillua në orën 20:30 ishin present zv. drejtori i qarkut, Fatos Çervenishti dhe përfaqësuesi i SHKB-së, i dërguar posaçërisht nga drejtori Burgaj. Bëra prezent provat dhe faktet për shpërdorimin e detyrës si dhe problemet e së kaluarës së vitit 2003, të cilat i biseduam dhe më lart. Në momentin që zoti Fatos Çervenishti ka marrë fjalën për të dhënë shpjegime, unë nuk kam pranuar ta dëgjoj dhe jam larguar nga zyra. Njëkohësisht, Fatos Çervenishti më ka thënë se s’kisha nga shkoja, se dy vartësit e tij kishin kopsitur raportin e shërbimit për mua.

A ka kompetencë zoti Fatos Çervenishti që të ushtrojë kontrolle mbi aktivitetin tuaj?

Po, është e vërtetë që në zbatim të ligjit të SHRSF-ve, jo vetëm ai, po çdo punonjës i Policisë së Shtetit ka të drejtë të kontrollojë disa aspekte të punës sonë.

Atëherë ku është problemi?

Problemi është se u veprua pa urdhër të shkruar si dhe shpërdorimi i detyrës, duke u bërë kompetent për të gjykuar kontratën time , të cilën ka tagër ta shqyrtojë vetëm gjykata ose vetë palët në mirëkuptim mes tyre. Mendoj se në rastin tim, zotit Fatos Çervenishti u nis të bënte njuë rrugë e dy punë, të merrte hakën ndaj meje për episodin e vitit 2003 dhe dyshoj se donte të realizonte një interes të biznesit të tij.

Çfarë pritshmërie keni nga prokuroria ju?

Unë pres një hetim objektiv profesional dhe të paanshëm pa asnjë lloj ndikimi të asnjë lloj pale. Nëse ky hetim profesional ndodh, atëherë të gjithë do kenë mundësinë të mësojnë të vërtetën, e cila nuk është tjetër veçse ajo që kam shpjeguar më lart. Kam kërkuar zbardhjen e dy bisedave telefonike në celular, për të cilat kam prova indirekte se ndaj meje janë bërë fyerjet dhe ofezat më të rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›