Pretenca, burg përjetë për vrasësin në seri
ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar burgim të përjetshëm për Haki Miskën, serial killerin nga Librazhdi, i cili akuzohet për vrasjen e katër shtetasve, mes të cilëve nënën dhe bashkëshorten e tij. Kryeprokurori i Elbasanit Elvin Gokaj dhe prokurori Binas Nina, kanë ngritur ndaj Haki Miskës, akuzat e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese, të dy ose më shumë personave. Autori me banim në Përvallë, pas më shumë se një vit hetimesh dhe në fund edhe të ekspertimit neuropsikiatrik, u arrit në konkluzionin se Haki Miska i ka kryer vrasjet me vetëdije të plotë dhe më pas ka fshehur edhe provat e krimit. Edhe gjatë marrjes në pyetje, Haki Miska ka pranuar 3 nga katër vrasjet për të cilat akuzohet dhe tentativën e vrasjes së vajzës së tij, Besiana Miska.
Pendimi
Para trupit gjykues, ai shpesh ka deklaruar se “kam bërë disa vrasje dhe dua të vdes”. Në seancat e zhvilluara gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit, Haki Miska ka treguar se ka ekzekutuar ish- bashkëshorten e tij, Mimoza Miska, pasi sipas tij ajo e tradhtonte me një burrë nga fshati. “Gruan time, Mimozën, e vrava pasi ajo më tregoi se më tradhtonte me një burrë në fshat. Kur u ktheva nga Greqia, gjeta në dhomën e gjumit një palë këpucë. Kur ramë në gjumë, filluam të grindeshim. Fillova ta qëlloj me grushte dhe shkelma. Nga dhimbjet ajo më tregoi duke më thënë se me kë më kishte tradhtuar. Në orët e para të mëngjesit, e mbështolla me batanije dhe e dërgova te vendi i quajtur Lugu i Miskut. Aty kam hapur një gropë dhe e futa në varr. Në mëngjes, fëmijëve u thashë që mami është larguar nga shtëpia dhe ka ikur në drejtim të paditur. Pas dy ditësh, shkova në polici dhe kreva denoncim për zhdukjen e saj. Askush nuk dyshoi, as policia dhe hetuesit nuk mundën të zbulonin”.
Vrasjet e tjera...
Haki Miska ka dëshmuar se një vit më vonë ka masakruar ish njerkun e tij Gani Brugu.
“Ganiu ishte njerku im, i martuar me nënën time Dije Brugu. Një ditë i gjeta të dy duke punuar në parcelën time. U afrova dhe i thashë që kjo është toka ime. Por ai më tha se kam pjesën e gruas. U grindëm dhe unë nisa ta qëlloj me grushte dhe shkelma. E rraha rëndë, duke e lënë pa ndjenja. Prezent ka qenë edhe nëna ime Dija. Pastaj e morën dhe e çuan në spital. Pas katër ditësh vdiq në Tiranë. Në marrëveshje me nënën time, dëshmuam në polici sikur ai ra nga kumbulla dhe koka i ra në gur”. Një vit më parë, Haki Miska ekzekutoi me sëpatë nënën e tij Dije Brugu. “Nënën e vrava pse më hodhi kripë në gjellë. Nëna me vajzën ishin në kasollen e bagëtive dhe erdhi e duke më sharë më hodhi një grusht me kripë në gjellë. Unë i hodha pjatën fytyrës. Vendosa të iki të pi një kafe në lokalin e fshatit. Por kur po dilja, ajo më qëlloi me një dru në kokë. Atëherë i nxehur mora sëpatën dhe e qëllova disa herë deri sa vdiq. Në atë kohë, vajza ndërhyri për ta shpëtuar. Por i nxehur qëllova edhe atë. Pasi e vrava, mora sëpatën të cilën e hodha 10 m larg shtëpisë. Pasi u fsheha në mal u afrova sërish afër shtëpisë, duke qëndruar i fshehur në një kasolle. Aty mora rroba dhe ushqime dhe ika”. Haki Miska ka mohuar, që të jetë autor i vrasjes së mësuesit të fshatit Qamil Lluka. “Nuk e kam vrarë unë Qamil Llukën. Me sa kam dëgjuar, ai ka rrëshqitur dhe ka rënë nga lartësia në humnerë. Kaq di për këtë ngjarje”, ka dëshmuar në polici dhe gjykatë, vrasësi i Librazhdit. Edhe pse ka pranuar vrasjet, Prokuroria ka vendosur të kërkojë burgim të përjetshëm për 51-vjeçarin. Burime nga trupi gjykues pohuan se do të lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë, pasi në këtë rast bëhet fjalë për një person me rrezikshmëri të lartë e që është autor i disa vrasjeve radhazi.
F.S.