Policia afgane vret një deputet
Një anëtar i parlamentit të Afganistanit është vrarë gabimisht, gjatë një përleshje të armatosur mes truprojave të tij dhe policëve afganë, kanë njoftuar zyrtarët.
Mohammad Shirnagha, deputet nga provinca veriore e Baghlanit, është vrarë përderisa po kthehej sot në shtëpi, deklaroi shefi i policisë provinciale, Kabir Andarabi.
Policia kishte vënë një pusi në afërsi të kryeqytetit të provincës, Pul e Khumri, ku po prisnin militantët, për të cilët dyshonin se ishin duke e transportuar një komandant të talebanëve, të plagosur gjatë luftimeve që janë zhvilluar të martën, njoftoi policia lokale.
Kur automjeti i Shirnaghas arriti në rajon, policët kërkuan që ai të ndalet. Pasi që ngasësi nuk ndali automjetin, shpërtheu përleshja e armatosur mes policëve dhe truprojave të Shirnaghas, anëtar i dhomës së epërme të Parlamentit të Afganistanit.
Gjatë përleshjes u vra edhe ngasësi i Shirnaghas dhe u plagos një bashkëpunëtor i tij, u theksua në kumtesën e Ministrisë së Brendshme të Afganistanit.
Kjo ministri në vendin e ngjarjes dërgoi shefin e saj për anti-terrorizëm, Abdul Farahin, për të zhvilluar hetime për këtë incident.
Në anën tjetër, Ministria afgane e Mbrojtjes njoftoi se katër militantë janë vrarë, gjatë dy operacioneve të ndara, të ndërmarra nga forcat e sigurisë.