E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbarimi bllokon pasuritë e Taçit

Gjergj Erebara

Borxhi 75 mln euro

Qeveria e Azerbajxhanit ka hyrë në lojë edhe për privatizimin e Albpetrolit

Faktet

Vendimi - Banka shtetërore e Azerbajxhanit, e kontrolluar nga Ministria e Financave, ka kërkuar dhe marrë konfiskimin paraprak të rafinerisë ARMO në Shqipëri

Borxhi - Banka azere thotë se ka depozituar 75 milionë euro për llogari të AMRA oil, por nuk ka paraqitur ndonjë kontratë dhe as terma reference për këtë depozitim

Avokatja - Banka shtetërore azere është përfaqësuar në Gjykatën e Tiranës nga avokatja Erinda Ballanca, e njohur edhe si avokatja e Kryeministrit Sali Berisha

Vizita - Berisha vizitoi Azerbajxhanin disa muaj më parë, ku u takua me pronarin e bankës shtetërore, Ilham Aliyev, dhe deklaroi se dy popujt janë vëllezër

Albpetrol - Burime të mirinformuara diplomatike bëjnë të ditur se Azerbajxhani mund të jetë blerësi i Albpetrolit, kur kjo e fundit të privatizohet në shtator

Satrapi i Azerbajxhanit mund të kontrollojë Shqipërinë

Qeveria konfiskon ARMO-n, Albpetroli është nxjerrë në shitje. Vëllai nga Kaukazi na vjen në shtëpi

Gjergj Erebara

Dokumenti per ARMO-n Dokumenti per ARMO-n 2

Vendosja e rafinerisë ARMO në sekuestro preventive për llogari të një banke shtetërore azerbajxhanase, si dhe privatizimi i Albpetrolit këtë vjeshtë mund të krijojë një situatë ku Presidenti i Azerbajxhanit, Alyiev, të kontrollojë një copë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

Rafineria ARMO u vendos dy ditë më parë në sekuestro konservative, pasi Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit pretendon se pronarja e ARMO-s, kompania AMRA Oil, i detyrohet 75 milionë euro të depozituara katër vjet më parë.

Ndërkohë, burime diplomatike bëjnë të ditur se një kompani me lidhje me Azerbajxhanin është kandidati më i mundshëm për privatizimin e Albpetrolit, kompania shtetërore shqiptare e nxjerrjes së naftës, e cila është në praktikë edhe pronarja e rezervës së naftës së nëntokës shqiptare, të cilën e shfrytëzon pjesërisht vetë dhe pjesërisht përmes kontratave koncesionare.

Berisha pas konfiskimit?

Banka azerbajxhanase u përfaqësua me prokurë të posaçme në Gjykatën e Tiranës nga avokatja Erinda Ballanca, e njohur mes të tjerash edhe si avokatja e Kryeministrit Sali Berisha në një gjyq kur Aneta Rama, e ëma e kreut socialist Edi Rama, e akuzoi për shpifje. Vendimi i Gjykatës së Tiranës për konfiskimin e ARMO-s më 8 gusht erdhi vetëm një javë pasi kompania Albpetrol dorëzoi një kërkesë të ngjashme për një borxh disavjeçar të vjetër që ARMO i ka pa shlyer. Albpetroli është kritikuar në shumë raste, (përfshirë edhe nga një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar) për faktin se ka për të marrë 5 miliardë lekë, (rreth 35 milionë euro) nga ARMO, por nuk ka bërë asnjë përpjekje përgjatë shumë viteve. Përkimi i dy padive, i bankës azere nga njëra anë dhe i Albpetrolit nga ana tjetër, mund të sjellë konfiskimin total të 85 për qind të aksioneve të ARMO-s nga dy borxhlinjtë.

Vendimi i gjykatës, i firmosur nga gjykatësi Ilir Celiku, është marrë më 3 gusht dhe në të thuhet se gjykatësi është informuar nga sekretaria për kërkesën e Albpetrolit që pati mbërritur vetëm dy ditë më parë, më 1 gusht.

Rezulton me vërtetimin e sekretarisë gjyqësore që pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 01.08.2012 ka nisur një proces gjyqësor ndaj Shoqërisë Armo sh.a. me paditës shoqërinë Albpetrol, ku kjo e fundit kërkon një shumë prej 5 105 466 732 lekë si përmbushje e detyrimeve kontraktore, si dhe penalitete në masën 268 978 959 lekë. Nga sa më sipër, rezulton qartë që ekzistojnë dhe kreditorë të tjerë, të cilët mund të kenë pretendime mbi aksionet e kësaj shoqërie, 85% të të cilave zotërohen nga shoqëria AMRA Oil sh.a., aksione këto që pretendohet të jenë blerë me shumën objekt gjykimi, thuhet në vendimin e gjykatës.

Albpetroli

Qeveria ka vendosur ta shesë Albpetrolin, megjithëse asnjë përgatitje paraprake për një shitje të rregullt të një kompanie strategjike nuk është bërë. Që nga koha kur Albpetroli u nxor në shitje në fillim deri tani, tenderi është shtyrë disa herë dhe qeveria e ka shtuar paketën e shitjes fillimisht me një licencë kërkimi nafte në tokë e në det, pastaj me një licencë për tregti gazi dhe së fundmi, me një licencë për ndërtimin e një rafinerie në bregdetin e Durrësit.

Borxhi i pakthyer

Rafineria ARMO u privatizua në prag të zgjedhjeve të kaluara për 128 milionë euro. Për shumë vite, burimi i financimit u përfol gjerësisht në Tiranë, por nuk u pranua kurrë publikisht. Së fundmi, bëhet e ditur se financuesi ka qenë një bankë shtetërore nga Azerbajxhani. Paratë e përfituara nga shitja e ARMO-s financuan fushatën elektorale të rizgjedhjes së qeverisë aktuale.

Shqipëria do të shkojë në zgjedhje pas më pak se nëntë muajsh dhe privatizimi i Albpetrolit është interpretuar gjerësisht në Tiranë si një përpjekje e qeverisë për të arkëtuar paratë e nevojshme për të financuar rizgjedhjen e vet.

Ilham Aliyev mund të bëhet shpejt jo vetëm njeriu më i fuqishëm i Azerbajxhanit, por edhe njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë.

Përmbarimi bllokon pasuritë e Taçit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›