Gazsjellësi, Italia dhe Greqia firmosin paktin, mungon pala shqiptare
Greqia dhe Italia kanë vendosur, të përqendrohen te mbështetja e projektit “TAP” duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Ministri i Energjisë i shtetit helen, Makis Papageorgiou dhe homologu i tij italian, kanë nënshkruar dje “paktin për bashkëpunim të afërt” për këtë projekt, duke i dhënë kështu mbështetjen gazsjellësit “TAP”, që përfshin edhe Shqipërinë. Ndërkaq, deklarata lidhur me gazsjellësin janë bërë edhe në një konferencë të Ministrit të Jashtëm grek Avramopulos dhe atij italian Xhulio Terzi. Ky i fundit, tha se projekti i gazsjellësit transadriatik, do të jetë një prioritet i javëve të ardhshme për trinomin, Shqipëri- Itali dhe Greqi, çka lë të kuptohet për marrëveshje të reja në vijim. TAP është një nga dy konkurrentët kryesorë për të transportuar gazin azer nga Shah Deniz drejt Europës dhe Turqisë, duke i dhënë kështu fund varësisë ndaj Rusisë. Konkurrenti tjetër është Nabuço Ëest, i cili lidhur me marrëveshjet mes vendeve ku kalon, kishte përparësi krahasuar me TAP-in. Marrëveshja e Greqisë dhe Italisë i jep pikë TAP-it, por nuk ka përfunduar gjithçka. Nëse kjo marrëveshje u nënshkrua mes Italisë dhe Greqisë, ajo ende nuk është firmosur me Shqipërinë nga asnjëri prej fqinjëve. Për marrëveshjen me Italinë duket se në horizont nuk shfaqet ndonjë problem, por për marrëveshjen me Greqinë, mediat greke kanë publikuar më herët se Shqipëria duhet të plotësojë kushtin e marrëveshjes së detit. TAP deri tani nuk ka bërë asnjë deklarim publik lidhur me këtë deklaratë të mediave greke dhe nëse është një kusht dhënia e “ok” të Greqisë për Shqipërinë. Gjithsesi, pas marrëveshjes mes fqinjëve si Greqia dhe Italia duket se marrëveshja me Shqipërinë është vetëm çështje ditësh.