BQE konfirmon mbeshtetjen e tregut te bonove
Banka Qendrore Europiane është e vendosur për të ndërhyrë sa më shpejtë në ndaljen e rreziqeve të vendeve me probleme në tregun e bonove qeveritare të Eurozonës. Në raportin mujor të gushtit institute ka cituar se nuk duhet të ketë aspak dyshime mbi aftësitë e Bankës Qendrore për të reaguar brenda lirive të mandatit të saj për të kufizuar kostot e larta të rifinancimit për bonot qeveritare të Romës dhe Madridit dhe për të qetësuar tregun e obligacioneve në tërësi. Instituti qëndror financiar europian këshillon se qeveritë e Eurozonës duhet të jenë të gatshme të aktivizojnë Fondin e Shpëtimit të Shteteve në tregun e obligacioneve në rast të rrethanave t jashtëzakonshme në tregjet financiare dhe të rreziqeve për stabilitetin financiar, në respekt të kushteve rigoroze dhe efikase konform linjave drejtuese të stabilitetit. Instituti i Frankfurtit ka shtuar se, ekonomia e Eurozonës do të shkojë në një rimëkëmbje graduale. Rritja e pritshmërive për falimentime, në radhët e vendeve më të mëdha të Eurozonës ka qenë më e theksuar për ndërmarrjet italiane dhe më e përmbajtur për ato holandeze dhe gjermane. Në studimin e saj, Banka Qendrore Europiane ka rishikuar në rritje edhe pritshmëritë për normën e papunësisë. Ajo ka parashikuar se, pritshmëritë për shkallën e papunësisë janë në nivelin 11.2% për vitin 2012, 11.4% për vitin 2013 dhe 10.8% për vitin 2014.
Përsa u përket çmimeve, Banka ka nënvizuar se, pritshmëritë inflacioniste për ekonominë e Eurozonës mbeten gjithmonë të qëndrueshme, e në linjë me objektivin e Këshillit Drejtues.
Raporti i Bankës ka bërë të ditur se, norma e kursimit të familjeve është pozicionuar në nivelet më të ulëta historike. Por Banka Qendrore Europiane ka theksuar edhe një herë se, Euro mbetet një projekt i pakthyeshëm. Sipas saj, primet e riskut, lidhur me shqetësimet mbi shpërbërjen e Eurozonës janë të papranueshme dhe duhen përballuar me vendosmëri të madhe.