E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode pranon krizën: Qeveria do të ulë buxhetin me 250 milionë USD

 
Shqipëria është në krizë dhe kjo pas një viti elektoral pranohet edhe nga vetë ministri i Financave, kur vetëm 5 ditë më parë Berisha tha se rritja do të jetë 9 për qind në 2010-‘11-‘12
 
Amullia e shifrave që vijnë nga zyrat e qeverisë vazhdon të çorodisë opinionin publik. Në një konferencë për shtyp të mbajtur gjatë ditës së djeshme, ministri i Financave ka deklaruar se do të ketë një reduktim të shpenzimeve buxhetore me 25 miliardë lekë për vitin 2010, lëvizje kjo që ishte parashikuar muaj më parë nga ana e specialistëve të ekonomisë. Deklarata për një ndryshim të buxhetit të shtetit si pasojë e reduktimit të shpenzimeve vjen vetëm 4 ditë pasi kryeministri Berisha lëshoi një deklaratë bombë për rritjen ekonomike, që sipas raportit të “Uni Bank”, cituar prej tij, do të ishte 9 për qind për vitin 2010. Kjo shifër, që u përmend disa herë radhazi nga kreu i qeverisë, la me gojëhapur të gjithë ata që marrin vesh sadopak nga ekonomia dhe janë në koherencë të zhvillimeve ekonomike në vend gjatë këtij viti. Por surpriza vazhdon dhe vetëm ditën e djeshme kreu i Financave del dhe hedh poshtë të gjitha shifrat që janë bërë publike deri tani.
***
Referuar grafikëve të paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave, rritja ekonomike në vitin 2009 ka qenë vetëm 3 për qind, ndërsa për vitin 2010 parashikimet duken edhe më të errëta. Por, duket se kriza ekonomike ka goditur vetëm ekonominë, se statistikat vazhdojnë që të paraqesin ecuri pozitive. Më në fund qeveria është dorëzuar dhe ka pranuar se do të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2010. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka pohuar sot se do të rishikojë shpenzimet, duke i ulur ato me 5 për qind nga totali i buxhetit. E konvertuar në lekë, do të thotë se shpenzimet do të ulen me 25 miliardë. Ky fakt vjen si rrjedhojë e mosrealizimit të buxhetit për vitin 2009, si pasojë e efekteve që dha kriza ekonomike. Por ndryshimi vjen si pasojë edhe e dëmeve të shkaktuara në Shkodër, çka do të kërkojë para nga buxheti i shtetit për kompensim. Gjatë një konference për shtyp, Ridvan Bode u shpreh se të ardhurat gjatë vitit të kaluar u mblodhën në masën 92 për qind. Por i gjendur përballë kësaj situate, Ridvan Bode ka pohuar se qeveria do të pranojë kërkesën e biznesit për amnisti fiskale. Pas shumë kërkesash, qeveria duket e gatshme që të amnistojë biznesin në detyrimet e prapambetura, çka do të sillte edhe një legalizim të aseteve të tyre. Pak kohë më parë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë hartoi një platformë, ku i kërkonte qeverisë që të kryente amnisti fiskale.
***
Rënia e të ardhurave, e reflektuar edhe në buxhetin e vitit 2010, nuk do të ndikojë rritjen e pagave dhe pensioneve. “Ulja e shpenzimeve si pasojë e krizës globale që ka infektuar ekonominë, nuk do të prekë rritjen e pagave dhe pensioneve. Edhe për bizneset do të ketë amnisti fiskale”, - nënvizoi ministri i Financave. Duke folur për mbylljen e buxhetit 2009, Bode është shprehur se “të ardhurat e realizuara në buxhet janë 92 për qind, ndërsa shpenzimet buxhetore arrijnë deri në 94 për qind”, deklaroi më tej Bode. Kështu, sipas këtij drafti që është miratuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, do të vazhdojë që të ketë një rritje të diferencuar, e cila për këtë vit do të jetë në nivelin 4 për qind deri në 10 për qind. Siç shihet edhe nga masa që pritet të merret,do të ketë një reduktim të rritjes së pagave krahasuar me vitin 2009, por në kushtet kur vendet e tjera të rajonit dhe referencat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar janë për ngrirje të pagave, masat duken tepër të guximshme. Planifikimi i shpenzimeve buxhetore për vitin 2010, sipas Ministrisë së Financave, është mbështetur në procedurat e buxhetimit mbi baza objektivash e produktesh të vëna në zbatim në të gjitha institucionet buxhetore për herë të parë gjatë vitit 2009. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit për vitin 2010 janë në nivelin 410.721 milionë lekë, me një rritje prej 2.5 përqindësh  krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2009, ose në shumë absolute rreth 9.813 milionë lekë me shumë. Ato përfaqësojnë rreth 32.1 për qind të PBB-së. Reforma në rritjen e pagave për të ashtuquajturit sektorë parësorë, siç janë mjekësia dhe arsimi, do të vazhdojnë me ritme më të ulëta këtë vit se në vitin e kaluar. Kështu, gjatë vitit 2009, rritja e nivelit të pagave për sistemin e shëndetësisë ka qenë mesatarisht 15.7 për qind, por në 1 korrik të vitit 2010, rritja do të jetë vetëm 10 për qind. Referuar të dhënave paraprake, ka një rënie të rritjes së pagave në këtë vit që shkon në rreth 5.7 për qind. Edhe në sistemin e pagave në arsim pritet të ketë një reduktim të ndjeshëm të rritjes. Sipas projektit ekonomik afatmesëm, do të ketë një rritje të pagave maksimalisht në 10 për qind nga 1 korriku i vitit 2010.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›