Përmbyllet Kongresi Kombëtar në Kinë

Kina e përfundoi Kongresin Kombëtar, një ditë para se t’i zbulojë emrat e liderëve të rinj, për dekadën e ardhshme.
Presidenti Hu Jintao e shpalli Kongresin e mbyllur para 2000 delegatëve pjesëmarrës. Hu pritet që të tërhiqet nga udhëheqja e partisë, për t’i hapur rrugë pasardhësit të tij, zëvendës presidentit, Xi Jinping.
Agjencia zyrtare e lajmeve, Xinhua raporton se Xi Jinping dhe Li Keqiang, i cili pritet të jetë kryeministri i radhës, janë votuar nga Komiteti Qendror, një këshill vendimmarrës me rreth 200 anëtarë të plotë.
Komiteti Qendror pritet që të caktojë një komitet ekzekutiv të vogël dhe një të madh. Emrat e udhëheqësve të ri pritet të kumtohen nesër.
Liderët e rinj të ekonomisë së dytë më të madhe në botë do të përballen me një rritje të ngadaltë ekonomike, me pakënaqësi në mesin e qytetarëve dhe marrëdhënie delikate me shtetet fqinje.