Përmbyset një platformë e naftës në Rusi

Një platformë ruse e nxjerrjes së naftës në det u përmbys mëngjesin e së dielës, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, ndërsa 50 persona të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Sipas asaj që informojnë mediat vendase, në momentin kur platforma u përfshi nga një stuhi dhe u përmbys, në të ndodheshin 67 persona. 14 prej tyre janë shpëtuar, por operacioni i shpëtimit u vështirësua nga kushtet e vështira atmosferike.
Aksidenti ndodhi në orën dy të mëngjesit, ndikuar nga era e fortë dhe dallgët.
Temperaturat aktuale në Detin e Okhotskut janë prej minus 17 gradësh. Platforma ndodhet 200 kilometra nga brigjet më të afërta, ato të ishujve Sakhalin.
Sipas një zyrtari vendas, kushtet ekstreme atmosferike bënë që platforma fillimisht të lëshonte një sinjal ndihme për përmbytje, përpara se struktura e dobësuar të pësonte kolaps të plotë.