Përmbysje kampionësh, Skënderbeu pa rivalë

Skënderbeu-Flamurtari 3-1
Një përmbysje kampionësh, por as këtë herë nuk ishte e thënë të mungonin polemikat teksa dy nga tre golat e shënuar në portën e Flamurtarit janë dukshëm në pozicion jashtë loje. Skënderbeu i Mirel Josës nuk njeh rivalë, dhe këtë e rikonfirmoi mbrëmë, duke fituar 3-1. Përtej gafave të anësorëve Rexha dhe Barushi, vlonjatët ishin larg asaj që pritej, duke merituar humbjen. Edhe pse kuqezinjtë shënuan të parët me Muzakën, më pas iu përulën lojës së Skënderbeut. Bardhekuqtë, jo vetëm që shkojnë në +12 pikë nga vlonjatët, por shpallen automatikisht kampionë dimri. Kur mbeten për t’u luajtur edhe dy ndeshje nga fundi i fazës së parë, korçarët janë 7 pikë më shumë se Teuta, që është ndjekësja më e afërt në tabelë. Në supersfidën e djeshme, përjashto një pjesë të parë, e cila mund të quhet deri diku e ekuilibruar (edhe pse Skënderbeu pati epërsi territoriale), vlonjatët ishin hije të vetvetes. Gabime të shumta në mbrojtje, sulme pa një rrjedhë logjike dhe në fund dështim për ekipin e Rubios. Fillimi është shumë i zjarrtë, teksa sjell dy raste të pastra për shënim, por që janë edhe për moviolë. Megjithatë, goli nuk vonon. Muzaka, një ish-lojtar i Skënderbeut, ndëshkon korçarët, pas një veprimi spektakolar brenda zone, kur dribloi Gvozdenoviçin dhe gjuajti bukur me të majtën. Korçarët nuk dekurajohen, teksa përtej pësimit të golit, luajnë thjesht dhe dalin shpejt në sulm. Tomiç nga krahu i djathtë dhe Arapi në të majtë bëhen protagonistë të krosimeve të shpeshta në zonën vlonjate. Barazimi vjen nga një goditje standarde teksa Pejiç kërcen mbi të gjithë dhe shënon. Mbrojtja vlonjate shfaq shumë pasiguri, por jo pak gabime bëjnë edhe korçarët në prapavijë. Me kalimin e minutave, Skënderbeu fiton më shumë terren në mesfushë. Dalja e Lilajt për shkak dëmtimi prish planet e Josës, por gjithsesi, korçarët i afrohen shumë golit të avantazhit. Në pjesën e dytë Flamurtari e rinis lojën me dy zëvendësime në mesfushë. Lena dhe Zeqiri dalin jashtë planeve të Rubios, pas një pjese të parë të dobët. Trajneri spanjoll kërkon të fuqizojë skuadrën në fazën ofensive pas futjes së Pezos dhe Vukçeviçit. Rubio guxon, duke e kthyer Flamurtarin me skemën 4-3-3. Mirëpo në fushë janë korçarët që diktojnë. Goli vjen pas një gafe të Veliut në mbulimin e Plakut. Sulmuesi kontrollon bukur topin brenda zone dhe me zgjuarsi arrin të shënojë. Flamurtari shokohet, ndërsa Rubio nuk do të dorëzohet dhe fut në fushë edhe Pepën. Asgjë nuk ndryshon për vlonjatët, që kapitullojnë pas një goditjeje nga këndi. Protagonist bëhet sërish dyshja Plaku-Pejiç, që kanë luajtur më parë edhe për Flamurtarin. Kroati shënon me kokë dhe ia bën skuadrës më të lehtë minutat në vijim. Skënderbeu administron rezultatin, ndërsa disa tentativa të Muzakës dhe Vukçeviçit nuk sjellin asgjë për Flamurtarin.
Skënderbeu – Flamurtari 3-1
Golat: Pejiç 18′, 77′, Plaku 68′/ Muzaka 8′
Kartonë të verdhë: Vrapi, Shkëmbi, Kuli/ Veliu, Kuqi
Gjyqtarë: Bardhyl Pashaji/ E.Barushi dhe D.Rexha
Skënderbeu: Shehi, Soza, Vrapi, Gvozdenoviç, Arapi, Tomiç (Radas 78′), Lilaj (Kuli 30′), Orelesi, Shkëmbi (Dimo 87′), Plaku, Pejiç. Trajner: Mirel Josa
Flamurtari: Koliçi, Arbri, Rajoviç, Veliu, Mici, Kuqi, Bratiç (Pepa 76′), Zeqiri (Vukçeviç 46′), Lena (Pezo 46′), Muzaka, Memelli. Trajner: Hulian Rubio
Rubio: Fitoi me meritë ekipi lider
Trajneri i Flamurtarit, Hulian Rubio, i ka anashkaluar me diplomaci pyetjet rreth dështimit të skuadrës së tij në luftën për titull, por ka vlerësuar në radhë të parë fitoren e Skënderbeut si dhe faktin që të tijtë vuajnë te goditjet standarde. “Sot (dje) fitoi lideri i kampionatit. Nëse je lider, je për diçka. Nuk mund ta mohoj unë atë çka po prodhon dhe jep lideri në fushën e lojës. Unë të kritikoj ekipin tim në publik. Edhe nëse kam diçka, ua them në privat dhe jo për publik. Gjithsesi, është e vërtetë që në pjesën më të madhe po them rreth 80 për qind të golave ne i kemi marrë nga goditjet standarde. Aq sa çdo goditje e tillë për ne është kthyer si një penallti për kundërshtarin”.
“Goli i parë i Pejiçit na dha fitoren”
Trajneri i Skënderbeut e vlerëson maksimalisht fitoren e të tijve, por gjykon se ajo që bëri diferencën ishte goli i parë i Pejiçit, i cili barazoi shifrat. “Goli i parë i Pejiçit na dha shumë besim, sepse mendoj se do kishte qenë ndoshta ndryshe po të kishim hyrë në dhomat e zhveshjes mes pjesës së parë dhe të dytë në disavantazh. Në fillim në këtë ndeshje patëm probleme, pasi menduam më shumë të pritnim kundërshtarin në mesfushën tonë e më pas ta sulmonim, dhe për këtë arsye u ndëshkuam. Flamurtari ka lojtarë mjaft të mirë e me personalitet që nuk të falin, por fakti që ne e përmbysëm këtë rezultat do të thotë se jemi realisht një ekip i mirë. Kemi dy sulmues të aftë të bëjnë gola nga çdo pozicion”.
“Titulli në kasafortë, mendoj Championsin”
Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takja, thekson se titulli tani është pronë e korçarëve dhe se ai dhe bashkëpunëtorët e tjerë po mendojnë të forcojnë skuadrën për Ligën e Kampioneve. “Goli i shënuar nga Flamurtari ishte shumë i shpejtë dhe nuk pata asnjë lloj ndjesie të veçantë. Kishim shumë kohë në dispozicion për ta kthyer rezultatin dhe në fund ia arritëm qëllimit. Titulli mund të quhet në “kasafortë” apo i siguruar vetëm kur të kemi 9 pikë diferencë me vendin e dytë, pra na duhen edhe dy pikë. Tani kemi filluar të mendojmë seriozisht të ndërtojmë një ekip që të jetë më kompetitiv për kompeticionin e Ligës së Kampioneve”.Stanislav Levi “bastis” Skënderbeun
Renato Arapi, Sebino Plaku dhe Nuredin Orelesi janë tre lojtarë që mund t’i largohen skuadrës kampione në merkaton e janarit. Ndonëse për momentin flitet veçse në ambientet sportive dhe ende nuk ka asgjë konkrete, gjasat janë që këta lojtarë të shkojnë në Poloni te skuadra e Slask Vroclav, ku drejton ish-trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi. “Nuk kam asnjë informacion për këta lojtarë, pasi nuk kam folur me presidentin për këtë gjë. Për mua janë lojtarë shumë të rëndësishëm të skuadrës dhe do ishte e vështirë që t’i zëvendësoje, pasi siç e dini, një ekip nuk bëhet brenda një muaji”, tha dje trajneri Josa pas ndeshjes.Blendi Shkëmbi: Jemi ekipi Champions
Kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, e ka vlerësuar fitoren duke shkuar edhe më tej. Ai ka pohuar se nëse ky grup do kishte qenë i tillë që në verë, atëherë Skënderbeu do ishte në Champions. “Kjo është një fitore e rëndësishme për ne dhe ecurinë drejt titullit kampion të katërt në historinë e klubit. Kampionati nuk është mbyllur ende, por do të shpresojmë që ta mbyllim sa më shpejt të jetë e mundur, pasi duam të sigurohemi që në fillim. Që prej ditës së nesërme (sot) do të fillojmë të mendojmë sërish për kampionatin. Nëse do të kishim këtë grup që kemi tani ndoshta do të kishim kaluar fazën e parë eliminatore në Champions League”.