Gjykata e Lartë liron truprojën e dytë të Rezart Taçit
Gjykata e Lartë vendosi dje të ndryshonte masën e sigurisë ndaj truprojës së dytë të biznesmenit Rezart Taçi. Pas akuzave për goditjen e gazetarit Mero Baze, i vetmi që vazhdonte të ishte në qeli ishte Irgen Selfo. Të dyja shkallët e Gjyqësorit patën dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Selfon. Ky i fundit pati pranuar se qëlloi mbi Mero Bazen, por ngriti pretendimin se nuk kishte dijeni se çfarë profesioni kishte ai. Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” për Selfon. Kështu, pas këtij vendimi, Selfo ka si detyrim të paraqitet një herë në dhjetë ditë te prokurori i çështjes derisa të përfundojë së hetuari ngjarja në fjalë. Për të njëjtën akuzë mbaheshin në qeli deri para pak javësh edhe biznesmeni Rezart Taçi dhe një nga truprojat e tij, Bledar Lilo. Për Taçin u vendos të gjykohej në gjendje të lirë nga Gjykata e Apelit. Po kjo gjykatë ndryshoi masën e sigurisë në “arrest shtëpie” për truprojën Bledar Lilo.
3 Dhjetor 2009