Agjencia e Pronave, 60 ditë afat për të shqyrtuar një kërkesë për njohje pronësie
Eljona Ballhysa
Agjencia e Pronave, në bazë të ndryshimeve të reja që i janë bërë ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, do të ketë vetëm 60 ditë afat për të shqyrtuar dosjen e një pronari për njohjen e pronësisë. Ndërsa afati përfundimtar për të shqyrtuar 8 mijë kërkesa të tilla të depozituara pranë kësaj agjencie është data 31 qershor 2011. Ky afat u përcaktua gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku deputetët e maxhorancës miratuan pro ndryshimeve në ligj. Këto amendamente synojnë shkrirjen e agjencive rajonale në rrethe dhe funksionimit vetëm të Agjencisë qendrore me qendër në Tiranë. Po kështu, ndryshimet në ligj parashikojnë jo vetëm ulje afatesh, por edhe thjeshtim procedurash. Kjo për faktin se pronarët, në rast se do të kenë ankesa ndaj AKKP-së, nuk mund të bëjnë ankesë në rrugë administrative, por duhet t’i drejtohen menjëherë Gjykatës së Shkallës së Parë.
Ndryshimet
Agjencia e Pronave, në bazë të ndryshimeve në ligj, duhet të përfundojë brenda afatit shqyrtimin e kërkesave të pronarëve për njohjen, kthimin ose kompensimin financiar. AKKP-ja do të marrë në shqyrtim kërkesat për të cilat nuk ka ende asnjë vendim, duke kontrolluar dhe vlerësuar dokumentacionin e paraqitur nga subjektet e shpronësuara. Në bazë të ligjit, AKKP-ja duhet të verifikojë vërtetësinë e dokumentacionit duke i ballafaquar më aktet ligjore dhe me vendimet e gjykatave që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e pronës pa të drejtë nga shteti. Pas verifikimit të dokumentacionit, drejtori i AKKP-së, brenda një afati prej 60 ditësh, duhet t’i kthejë përgjigje pronarit; që përfshin rrëzimin e kërkesës ose njohjen e të drejtës së pronësisë, kthimin fizik ose kompensimin financiar. Më pas AKKP-ja u konfirmon pronarëve të drejtën e pronësisë dhe lëshon dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose kompensimit të pronës.
Një tjetër detyrë e AKKP-së është shqyrtimi i ankesave kundër vendimeve të dhëna nga ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe të ndryshme të vendit, apo vendime të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pas shqyrtimit të animimit, drejtori i AKKP-së vendos rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të mëparshëm, ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Kur vendimet e dhëna nga AKKP-ja nuk ankimohen, atëherë vendimi kthehet në titull ekzekutiv.
Pas miratimit në Kuvend të këtij ligji pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë sa më parë vendimin për mënyrën e re të organizimit dhe funksionimit të AKKP-së. Ndërsa Ministria e Financave do të hartojë vendimin për tarifat financiare që duhet të paguajnë pronarët për procedurat e ndjekura nga AKKP-ja për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Kundër vendimeve të AKK-së duhet të kryhet ankimim nga subjekti i shpronësuar ose nga Avokatura e Shtetit, brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Çefa: “Nuk kemi ende një faturë financiare për kompensimin e pronarëve”
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronave, Elvis Çefa, u shpreh dje për mediat se Agjencia nuk ka ende një faturë financiare për të gjithë procesin e kompensimit të pronarëve në Shqipëri. Sipas Çefës, kjo faturë mund të hartohet nga ekspertët vetëm pasi të përfundojë i gjithë procesi, si ai i njohjes së pronës, kthimit fizik dhe ai i kompensimit financiar të ish-pronarëve. Çefa shtoi se aktualisht Agjencia po merret me shpërndarjen e fondit të parashikuar për vitin 2009 në numrat e llogarive bankare për 211 pronarët që kanë rezultuar fitues të këtij fondi. Në bazë të ligjit, procesi i kompensimit financiar për ish-pronarët do të vazhdojë deri në vitin 2015, ndërsa procesi i kthimit fizik të pronës ka përfunduar. Procesi i njohjes së pronave përfundon në vitin 2011, me përfundimin e shqyrtimit nga AKKP-ja të 8 mijë kërkesave të depozituara nga ish-pronarët.
Rastet kur njihet e drejta e pronësisë dhe kthimi i pronës
Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) ka përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji.
U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit Nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar.
Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.
Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.
Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas ligjit “Për shpronësimet për interes publik”. Toka do të vlerësohet si truall industrial.
Subjektet e shpronësuara dhe të kompensuara sipas ligjeve në fuqi kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar.
Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë
Gjykata Kushtetuese ka nisur pak ditë më parë shqyrtimin e kërkesës së Avokatit të Popullit për disa ndryshime në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit argumentuan se ndryshimet e bëra në këtë ligj dhe që ankimohen para Gjykatës prekin thelbin e të drejtës së gëzimit të qetë të pronës, cenojnë parimin e sigurisë juridike, atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën, sipas të cilit liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Avokati i Popullit, në kërkesën e tij, e cilëson antikushtetues faktin se drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka të drejtë “kryesisht” të nisë verifikimin e vlefshmërisë ose jo të një titulli pronësie edhe kur prona është e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Avokati i Popullit mendon se është antikushtetues dhe vendimi që drejtori i AKKP-së jep në përfundim të një shqyrtimi të tillë për një titull pronësie. Lidhur me këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese pritet që të marrë një vendim gjatë ditëve të ardhshme.
3 Dhjetor 2009