E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Bashkia e Tiranës shpërndan ndihma

SHKODER- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, njëherazi kryebashkiaku i Tiranës bashkë me bashkiakë të tjerë të kryeqytetit kanë shpërndarë sot ndihma në zonat veriore të vendit të përmbytura nga shkarkimet në hidrocentrale. Për kryesocialistin Rama , realiteti në Shkodër dëshmon edhe njëherë rrënimin e shtetit. Ai akuzoi ashpër kryeministrin Berisha si përgjegjës të kësaj fatkeqësie duke shprehur dhe njëherë sigurinë se opozita do të vazhdojë betejën pa kompromis me këtë qeveri në mënyrë që të detyrojë atë të hetojë zgjedhjet e qershorit. “Do sjellim përdit ndihma në Shkodër. Sot jemi bashkë me përfaqësues të Emergjencave Civile të Bashkisë së Selanikut për të shpërndarë një sasi ndihmash, ndërkohë që një sasi akoma më e madhe është duke u trajtuar për të ardhur në ditët në vijim, ky është solidariteti ynë, kjo është politika jonë dhe kjo është rruga jonë. Të ndihmojmë njerëzit pavarësisht bindjeve dhe njëkohësisht të bëjmë një betejë pa kompromis me këtë qeveri që njerëzit i mbyti, që shtetin po e rrënon, që ekonominë po e fundos dhe që duhet me patjetër ti hapi rrugë demokracisë duke i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve të shkuara, në të kundërt protestat nuk do të ndalen më.” theksoi Rama. Ndihmave të Bashkisë së Tiranës dhe njësive bashkiake në veri të vendit, kryesisht në veshje , ushqime, ujë të pijshëm i janë bashkuar dhe ndihmat e ardhura nga emergjencat Civile nga Bashkia e Selanikut. Bashkiakët kanë dëgjuar prej banorëve edhe faktin se ndihmat e ardhura nga qeveria po ndahen në mënyrë të padrejtë. Thirrjes së Bashkisë së Tiranës për ndihma në veri të vendit i janë përgjigjur dhe bashkitë e Barcelonës dhe Ankarasë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›