Përmbytjet, Berisha: Derdhja e ujrave u paralajmërua

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar në Shkodër ka deklaruar se derdhja e ujrave në veri është bërë me paralajmërim të plotë. " Lëshimi i ujrave është bërë me paralajmërimin e plotë të banorëve. Një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetën e njerëzve", u shpreh ai.
Kreu i qeverisë ka theksuar edhe një herë se shkak i përmbytjeve në veri kanë qenë reshjet e mëdha. Ai vlerësoi menaxhimin e digave si të shkëlqyer. "Shkak i përmbytjeve kanë qenë reshjet, që u cilësuan si të shkallës së dytë. Kjo është një ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet", pohoi ai.
Berisha ka garantuar se qeveria do të zhdëmtojë çdo qytetar të prekur nga përmbytjet. "Askënd të mos e mundojë dhimbja e mallit të dëmtuar, sepse do e kompensojmë atë një më një", shtoi ai.
Kryeministri cilësoi operacionin e shpëtimit të zhvilluar në zonat e përmbytura në veri të vendit, si më të madhin të kryer ndonjëherë, që bëri të mundur atë që është më e rëndësishme, shpëtimin e jetës njerëzore.
Kryeministri tha se situata në veri është një sfidë, së cilës do i jepet zgjidhja më e mirë.
Berisha ka falenderuar ministrat, anëtarët e qeverisë, krerët e komunave, anëtarët e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit për ndihmën dhe efiçencën e dhënë në mbështetje të banorëve.
Berisha tha se thirri këtë mbledhje qeverie në Shkodër si dëshmi e solidaritet dhe vendosmërisë së Këshillit të Ministrave për të mbështetur zonat e përmbytura në mënyrën më të fuqishme.