E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkësia ndërkombëtare në ndihmë të Haitit

Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar menjëherë ndaj tërmetit që ka goditur Haitin. Nga SHBA-ja është nisur një ekip i reagimit ndaj katastrofave, si dhe ndihma materiale e pajisje shpëtimi. Ekipe kërkim-shpëtimi paketuan furnizimet me ndihma dhe u nisën nga Fairfax Country e Virginias, per tek ishulli i varfër. Në Kaliforni, Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angelesit është përgatitur me ekipe shpëtimi për t'u nisur drejt Haitit. Ekipet e shpëtimit ishin në pritje të konfirmimit që pista e aeroportit Port au Prince të ishte e sigurt sa duhet për të pritur uljen e avionëve. Ndërkohë që edhe Presidenti amerikan Obama dhe sekretarja e Shtetit Hilari Klinton i ofroi mbështetje Haitit. Banka Ndëramerikane e Zhvillimit ka thënë se do të japë 200 milionë dollarë në formë ndihmash emergjente për Haitin, i cili ishte duke u rimëkëmbur pas uraganëve shkatërrimtarë të vitit 2008. Franca thotë se do të dërgojë dy avionë me ekipe shpëtimi dhe ndihma humanitare. Edhe Venezuela ka thënë se do të dërgojë avionë me ushqime, medikamente dhe ujë të pijshëm. Duke e përshkruar tërmetin si "katastrofë", i ngarkuari me punë i Haitit në SHBA tha se kostoja e dëmit mund të shkonte në miliarda dollarë. Ndërkohë që Papa Benedikti XVI ka urdhëruar që Kisha Katolike Romane të aktivizojë ndihmat me anë të rrjetit të gjërë të bamirëisë për të prekurit nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Haitin. Papa i bëri apel komunitetit ndërkombëtar dhe individëve që të jenë të shpejtë dhe bujarë në ndihmën e tyre. Kisha Katolike ka një nga rrjetet më të gjëra të bamirësisë në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›