E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, hidhen ushqime e ilaçet

 

DURRES - Vihet nën kontroll situata emergjente në Qarkun Durrës-Krujë. Pas përfundimit të rrebeshit të shiut Durrësi “inventarizon” dëmet e jashtëzakonshme. Ndonëse në shumë shtëpi të Spitallës, Porto-Romanos, Shkozetit dhe ish-kënetës niveli i ujit ka rënë, familjet janë të zhytura në terr, pasi kryefamiljarët kanë frikë të ndezin dritat nga lagështira që kanë marrë muret dhe instalimet elektrike. Mbi 300 shtëpi të përmbytura, mijëra lavatriçe, televizorë, radio, frigoriferë etj pajisje elektroshtëpiake të dala jashtë përdorimit, dhjetëra automjete si dhe një numër i konsiderueshëm minimarketesh, njësish tregtare, madje edhe farmacish kanë pësuar dëme të pariparueshme të artikujve të tyre. Mësohet se shumë mallra ushqimorë, artikuj industrialë apo edhe ilaçe, të cilat ishin depozituar në katet e para të njësive tregtare do të groposen, pasi nga kontakti me ujin kanë skaduar. Shiu në Durrës ka zgjatur deri në orët e mesditës së të dielës duke mos njohur ndërprerje për 36 orë rresht, por më pas qielli filloi të hapej. Tre stacionet e pompimit në Qark ai i Porto-Romanos, i Hamallajt dhe i Manzës janë duke punuar me kapacitetin e tyre maksimal.                             o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›