E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushat e Mbishkodrës nën ujë

 

SHKODER - Rreth 300 hektarë tokë bujqësore përllogariten të përmbytura në rrethin e Shkodrës, si rezultat i shirave të ditëve të fundit. Për të parë nga afër situatën paraditen e djeshme ka dalë në terren një grup pune, i drejtuar nga prefekti Maxhid Cungu si dhe anëtarë të shtabit të emergjencave. Fushat e Mbishkodrës kanë qenë ato që kanë pësuar më shumë dëme nga reshjet, pasi janë mbuluar nga uji. Më shqetësuese është situata në komunën Bushat, nga Torovica - mali i Jushit deri tek ura e Ded Gjo Lulit në Velipojë, fshatrat e kësaj komune si dhe Plazhi, komuna Guri i Zi. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të përmbytjeve, por mendohet se nën ujë janë plot 300 ha tokë. Në situatën e krijuar banorët shprehen të shqetësuar për gjendjen e krijuar dhe duan ndihmë nga strukturat e shtetit. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet shkojnë në miliona lekë. Sipas specialistëve, e gjithë kjo situatë është e krijuar nga mosfunksionimi i plotë i hidrovoreve dhe bllokimi i kanaleve kulluese. Në mbrëmje, në rrugën Shkodër-Shalë ka pasur rrëshqitje dherash, duke izoluar 4 mijë banorë të zonës së thellë.                         r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›