Lezha e Kurbini 2 ditë nën ujë, evakuohen familjet
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Dhjetëra shtëpi e qindra hektarë tokë ndodhen nën ujë prej dy ditësh në Qarkun e Lezhës. Reshjet që vijuan edhe ditën e djeshme e kanë përkeqësuar situatën. Banorët bëjnë apel për ndihmë pasi shtëpitë dhe tokat e tyre janë përmbytur. Disa prej tyre janë detyruar të evakuohen pasi streha e tyre është bërë e pabanueshme. Situata mbetet problematike jo vetëm në tokat arë të përmbytura në Kurbin dhe Lezhë, por edhe në lidhjen e fshatrave malore. Prej dy ditësh shtatë fshatra të komunës Milot kanë mbetur të izoluara pasi rruga që i lidh ato me qytetin është bërë e pakalueshme. Ndërsa 30 banesa janë të përmbytura tek kryqëzimi i superstradës me rrugën e Patokut. Njëri nga banorët e zonës, Mark Nezha u shpreh se: “Prej dy ditësh jemi të përmbytur. Kjo ka ardhur nga mungesa e përkujdesit të pushtetit lokal dhe ndërmarrjes së kanalizimeve. Eshtë e pafalshme që prej vitit 1990 kanali në anë të rrugës së Patokut nuk është pastruar. Sot ne jemi në mes të ujit dhe askush nuk vjen as të na shikojë, me përjashtim kur ka votime”. Ndërsa një tjetër banor, Preng Paloka u shpreh mjaft i irrituar për situatën, e cila përsëritet në çdo stinë dimri. “Kam punuar në kohën e monizmit në këtë tokë. Nuk jemi përmbytur në asnjë rast, pasi hidrovoret punonin me kapacitet të plotë. Sot ato nuk punojnë pasi kanë defekte dhe askush nuk pyet për ne”, tha Paloka. Aktualisht llogariten të jenë mbi 500 ha tokë e përmbytur në Kurbin, kryesisht në Laç, Mamurras, Adriatik dhe Fushë Milot. Ndërsa në Lezhë situata më problematike paraqitet në Balldre dhe në Torovicë, pasi hidrovoret nuk arrijnë të tërheqin ujin në kapacitet të plotë për shkak edhe të intensitetit të lartë të reshjeve. Po kështu në Shëngjin prej tre ditësh, banorët e dhjetë shtëpive janë evakuuar tek të afërmit e tyre. Edhe pse kanë ndërhyrë reparti i zjarrfikësve duke larguar ujin disa herë, situata nuk është përmirësuar. Prefekti i Lezhës Pal Dajçi, u shpreh se: “Hidrovoret janë duke punuar non stop, por intensiteti i reshjeve ka bërë që situata të rëndohet”.