E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Shkodra “merr frymë” sërish

Uji largohet nga qendra. Rinis qarkullimi i makinave në disa lagje të përmbytura

Përmirësimi i kushteve atmosferike të motit, ndonëse i shoqëruar me temperatura të ulëta, ka ndikuar në zbutjen e situatës në Shkodër. Gjatë dy ditëve të fundit, uji është tërhequr ndjeshëm nga lagjet e përmbytura të qytetit të Shkodrës. Kështu në krahasim me një javë më parë, kur u shënua piku i përmbytjeve, uji është tërhequr 500 metra nga qyteti dhe niveli i tij ka rënë me rreth 40 centimetra. Kjo ka bërë që dje, në lagjet e përfshira nga përmbytjet, të bëhet i mundur qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë. Sipas specialistëve, moti me diell dhe ulja e temperaturave pritet të ndikojnë në një tërheqje më të shpejtë të ujit nga lagjet e ulëta të qytetit të Shkodrës.

Ndërkaq ndërprerja e shirave ka ndikuar në uljen e nivelit të ujit në zonën e Nënshkodrës. Por tashmë, banorët që prej 20 ditësh kanë luftuar me ujin, u duhet të përballen me të ftohtin e acartë. Dhjetëra banorë që qëndrojnë për të ruajtur banesat e përmbytura, u duhet të durojnë temperaturat shumë të ulëta, që pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.

Sakaq nga të dhënat e mbledhura në terren, nëse situata e motit do të vijojë të jetë me diell dhe pa reshje, pritet që brenda pak ditëve të fillojë qarkullimi normal i automjeteve për në zonat e përfshira nga përmbytjet. Ndërkohë, bazuar në shifrat e Shtabit të Emergjencës Civile, situata e përmbytjeve vijon të jetë e rëndë, ndonëse disi më e mirë se ditët e mëparshme. Nga të dhënat e mbledhura në terren, vihet re një ngushtim i sipërfaqeve të përmbytura. Kështu nga 11900 hektarë që ishin ditën e premte nën ujë, dje ishin 11820 hektarë. Ndërkohë që numri i shtëpive të përmbytura dhe atyre që janë në prezencë uji është i njëjtë me një ditë më parë. Ende 4660 shtëpi janë të përmbytura dhe 3493 shtëpi në prezencë uji, por ky numër është më i vogël krahasuar me tri ditë më parë.

Ndërkaq ka pasur edhe rënie të shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, ku dje janë shkarkuar 1230 m³ ujë në sek. Por shifra është më e ulët se gjatë ditës së premte, pasi janë shkarkuar 170 m³ ujë më pak se dje. Të dhënat e fundit, të marra mbrëmjen e së premtes nga Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës, tregojnë se banorët e evakuuar nga fshati Gur i Zi janë duke u kthyer në banesat e tyre. Kështu numri i të evakuuarve ka rënë nga 1421 që ishte një ditë më parë, dje ka qenë 1084 banorë. Në Shkodër vazhdon solidarizimi i dhënies së ndihmave nga individë, biznesmenë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Dje në Shkodër ka udhëtuar Zonja e Parë e vendit, Teuta Topi, e cila ka çuar ndihma kryesisht në medikamente për spitalin dhe qendrat shëndetësore, në mënyrë që t’u vijë në ndihmë, personave të prekur nga përmbytjet e fundit.

Zonja Topi është shprehur: “Si grua dhe nënë, e ndiej për detyrim të jem pranë këtyre banorëve që sot kanë nevojë shumë edhe për ndihmë psikologjike”. Gjithashtu zonja Topi ka bërë thirrje për solidarizim të të gjithë shqiptarëve që të kontribuojnë për të ndihmuar sado pak për Shkodrën. Ndërkaq edhe Karitasi Shqiptar ka dërguar ndihma ushqimore dhe veshmbathje në zonat e përmbytura të Nënshkodrës dhe kryesisht në fshatrat Obot dhe Dajç, të Bregut të Bunës. Kjo organizatë humanitare, që prej fillimit të muajit, ka shpërndarë rreth 3 mijë tonë ndihma në zonat e përmbytura të Shkodrës dhe në zona të tjera të Shqipërisë. Sipas drejtorit të Karitasit Shqiptar, Albert Nikolli, kjo është vetëm një fazë e parë, e cila ka për qëllim ardhjen në ndihmë kryesisht të familjeve të varfra. Ndihmat do të vazhdojnë deri kur uji të jetë larguar plotësisht dhe banorët të rikthehen në banesat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›