E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet bunkeri, rrezikonte shtëpitë në kodër

Durrës Ndërhyrja pas rrëshqitjeve të dherave nga reshjet e dendura të shiut

Ndërhyhet për heqjen e një bunkeri që përbënte rrezikshmëri për njerëzit, pas rrëshqitjeve të fundit të dheut në zonën kodrinore të qytetit bregdetar të Durrësit. Ish-vendstrehimi është hequr ditën e djeshme nga një grup i specializuar për ndërhyrje të kësaj natyre duke shmangur rrezikun e dhjetëra banorëve dhe lokaleve që ngrihen në rrëzë të kodrës. Që prej sezonit të kaluar dimëror ish-vendstrehimi ushtarak në majë të kodrës së Currilave ishte kthyer në një rrezik serioz, pasi ishte mënjanuar dhe dalë në pah pjesa fundore e tij. Reshjet e dendura të fillimdhjetorit që u shoqëruan dhe me rrëshqitje dherash e rënduan më tej situatën, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen për zhvendosjen e bunkerit që mund të rrëshqiste duke kanosur seriozisht godina banimi e bar-restorante, por edhe jetë njerëzore. Në kodrën e Durrësit janë ngritur dhjetëra ndërtime pa leje gjatë 15 viteve të fundit, të cilat bashkëjetojnë prej vitesh me ankthin e rrëshqitjeve masive të dheut që janë kthyer në karakteristikë të zonës kodrinore që pas prishjes së kurorës së gjelbër të saj. Në vitin 2006 u plotësuan mbi 760 formularë vetëdeklarimi për ndërtime në kodrën e shpyllëzuar në mënyrë të paligjshme. Një pjesë e këtyre, rreth një e dhjeta nuk do të përfitojnë nga procesi i legalizimit për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë nga rrëshqitjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›