E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, fundosja politike e Ramës

Turra-vrapi i Ramës dhe njerëzve të tij për të
drejtuar gishtin te Dritan Prifti, tregon realisht inatin e madh që PS dhe
kryetari i saj kanë për Ilir Metën dhe LSI. Për të vërtetuar këtë mjafton të
përmendim së paku tragjedinë e Gërdecit, e cila ishte një moment që mund të
shfrytëzohej nga opozita e përçarë për tu rigrupuar kundër qeverisë. Një
aksion në fakt që u inicua nga Ilir Meta, por nuk u përkrah nga Edi Rama, që
priste koncesionet e Berishës për ligjin e ri elektoral që u shkrua nga
njerëzit e Ramës dhe synonte fundosjen politike të Metës qysh në zgjedhjet e
28 qershorit

Arben
Vata

Një nga të këqijat më të mëdha të politikës
dhe medias gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri, është se përfaqësuesit e
saj vrapojnë të drejtojnë gishtin mbi fajtorët dhe shkaktarët e tragjedive apo
fatkeqësive të ndryshme natyrore, menjëherë sapo ato ndodhin.

Kështu ndodhi për fat të keq edhe me
përmbytjet masive të këtij fillimviti në ultësirën perëndimore të vendit, ku
politikanë dhe gazetarë të mediave të ndryshme u rreshtuan në llogore për të
sulmuar njëri tjetrin. Sërish për fat të keq, duke krijuar një atmosferë dhe
klimë të nderë dhe aspak të nevojshme për momentet delikate që po përjeton
vendi.

Por, duke qenë se nuk është as e para dhe as e
fundit herë që ndodh, kjo nuk se ka shumë ndikim në opinionin publik. I cili,
mëse njëherë është mësuar që rezultatet e hetimit që duhet të dalin nga
institucionet e specializuara, i sheh të shpallura si direktiva politike nga
partitë apo grupimet mediatike prej të cilave suportohen vazhdimisht.

Pavarësisht përpjekjeve partizane të ndonjë
gazetari apo media, apo edhe partive politike që historikisht kanë kërkuar të
shtojnë kapitalet politike duke shfrytëzuar tragjeditë apo fatkeqësitë
natyrore, me siguri që jo vetëm organet kompetente, por edhe qeveria do të bëjë
analizën e kësaj situate dhe shkaktarët që cuan në këtë gjendje do të
përgjigjen administrativisht ose edhe para ligjit.

Krahas aspektit teknik, përmbytjet në
ultësirën perëndimore të vendit, po nxjerrin në pah edhe zhvillime të tjera
politike, të cilat edhe pse po stimulohen nga opozita ka shumë gjase që ti
kthehen asaj në boomerang.

Pa dashur të pozicionohem në rolin e specialistit,
kjo që ndodhi nuk mund të jetë përgjegjësi e ministrit Prifti (pasi shpjegimet
dhe angazhimi i tij publik ka qenë i qartë dhe konkret).

Ndaj dhe këmbëngulja e opozitës për të kërkuar
që në krye të herës dorëheqjen e Priftit, realisht jo vetëm që nuk do të ketë
rezultat, por përkundrazi, i shkakton të majtës një hendek tjetër të madh, më
të madh ndoshta sesa hapësira e pafund me ujë e krijuar në ultësirën e nën
Shkodrës.

Nga ana tjetër, përpjekja e opozitës për të
fshikulluar qeverinë në përpjekjet e saj për të përballuar situatën e krijuar,
përkundër asaj që synon opozita, po krijon efektin e kundërt te qytetarët, jo
vetëm në Shkodër e Lezhë, por në gjithë vendin.

Së pari, duket qartë se sulmi i opozitës këtë
herë nuk ka për shënjestër Berishën, por Ilir Metën dhe njerëzit e tij në
qeveri. Përmbytjet janë sebepi që Edi Rama të hakmerret ndaj Ilir Metës, pse ky
hyri në qeveri me Berishën, apo pse nuk iu përgjigj kërkesës së Ramës për të
tentuar një qeveri të së majtës me vota të blera nga deputetet e PD.

Një logjikë e qetë e pranon si të vërtetë atë
që përjetuam të gjithë; që dhjetori në ditët e tij të fundit u shoqërua me një
klimë të çuditshme; borë-shi dhe në limitet e fundit të vitit me një ngritje të
papritur të temperaturave që shkaktuan shkrirje të menjëhershme të dëborës në
Alpe. Kjo nuk zhvesh nga përgjegjësia askënd që mund të jetë fajtor, por nisur
nga kjo dhe nga deklaratat zyrtare të Priftit për zbatim me rigorozitet të
rregullores, të paktën për momentin përgjegjësia e tij nuk është e provuar.

Ndaj dhe turra-vrapi i Ramës dhe njerëzve të
tij për të drejtuar gishtin te Dritan Prifti, tregon realisht inatin e madh që
PS dhe kryetari i saj kanë për Ilir Metën dhe LSI. Për të vërtetuar këtë
mjafton të përmendim së paku tragjedinë e Gërdecit, e cila ishte një moment që
mund të shfrytëzohej nga opozita e përçarë për tu rigrupuar kundër qeverisë.
Një aksion në fakt që u inicua nga Ilir Meta, por nuk u përkrah nga Edi Rama,
që priste koncesionet e Berishës për ligjin e ri elektoral që u shkrua nga
njerëzit e Ramës dhe synonte fundosjen politike të Metës qysh në zgjedhjet e
28 qershorit. Parë në këtë prizëm, kjo përpjekje e Ramës jo vetëm që e
distancon edhe më tepër PS me LSI, por forcon edhe më shumë nevojën për
bashkëpunim të PD me LSI për zgjedhjet lokale të vitit 2011, por sigurisht në
një afat të gjatë të lajmëruar nga liderët e dy partive qeverisëse.

Kjo klimë, mesa duket po gjen pasqyrim jo
vetëm në drejtimin e këtyre partive, por edhe në elektoratin e tyre, të cilat e
shohin këtë ngjarje si mundësinë e një solidariteti më shumë për tu bashkuar
ndaj Edi Ramës dhe siguruar një qeverisje të qëndrueshme. Nga ana tjetër, me
përshkallëzimin e klimës politike në këto ditë fatkeqësie kombëtare, Rama po i
hedh ujë të ftohtë shpresave për kompromis me qeverinë dhe në vend të lëshimeve
të shpresuara nga Berisha, me siguri prej tij mund të marrë përgjigjen
standarte; qeveria dhe parlamenti nuk mund të dalin mbi gjykatat dhe të hapin
kutitë e 28 qershorit.

Së dyti, ajo që duket sheshit prej të gjithëve
dhe që prej opozitës nuk është e moralshme të instrumentalizohet në sensin
negativ, është angazhimi total dhe efikasiteti I qeverisë në trajtimin e kësaj
fatkeqësie.

Memoria e të gjithëve është ende e freskët
edhe në lidhje me reagimin e shpejtë dhe të gjithanshëm të strukturave të
qeverisë dhe të shtetit pas tragjedisë së 15 marsit në Gërdec. Po ashtu, edhe
impenjimi qeveritar dhe shtetit në përgjithësi me rastin e përmbytjeve është
shembullor dhe kjo është një çështje për të cilën qeveria Berisha nuk mund të
kritikohet prej askujt. Pavarësisht se dikujt mund ti duket mediatikisht e
bezdisur, dalja e pandërprerë e kryeministrit dhe kabinetit, Presidentit,
Kryetares se Kuvendit në zonat e përmbytura, është shenjë që tregon se
strukturat e shtetit dhe qeverisë janë pranë njerëzve për ti ndihmuar, dhe jo
për tu shfajësuar përpara tyre për atë që ndodhi.

Edhe pse disa media kanë treguar kujdesin e
pritur për të qethur apo rregulluar deklaratat e banorëve të përmbytur,
askush prej tyre nuk e ka fshehur apo tjetërsuar të vërtetën, që njerëzit atje,
pavarësisht bindjeve politike kanë pasur rastin që të provojnë se kjo është një
qeveri e shërbesave.

Edhe pse realisht fati nuk e ka ndihmuar
fort kryeministrin Berisha në detyrën e tij që në vitin 2005 (kujtojmë thatësirën
dhe krizën e dritave, Gërdecin, shembjen e tunelit të pahapur në Kalimash dhe
së fundi përmbytjet), askush nuk mund ta kritikojë kryeministrin si të pa
përgjegjshëm dhe anti-human, në fakt cilësi që janë vënë re në qeverisjet e
mëparshme në vend. Edhe nëse qeveria e tij është fajtore për këtë situatë,
prapëseprapë, shqiptari e ka zakon të solidarizohet dhe bashkojë forcat dhe
energjitë për të kaluar situatën e rëndë dhe më pas kur gjërat të jenë
qartësuar në terren, të përcaktohen sigurisht edhe shkaktarët.

Por nëse nxitojmë menjëherë që tu vëmë emrin
atyre që në fillim, vetëm sa e paragjykojmë procesin e hetimit dhe analizën për
këtë situatë, e cila është komplekse dhe nuk lidhet me një ditë të caktuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›