Përgjigjja që gjendet në Shkodër

Atje, në zonat e përmbytura përreth Shkodrës,
mund të shihej me lehtësi fytyra reale e administratës shqiptare. E asaj makine
gjigante, të ngathët dhe të paaftë të vetëfunksionojë, që di të bëjë vetëm një
gjë me përpikmëri: ti bindet urdhrave që vijnë nga lart
Nga
Andi Bushati*
Ndërkohë që në Tiranë është ndezur debati
politik lidhur me shkaqet natyrore apo gabimet njerëzore që shkaktuan
përmbytjen katastrofale të veriut të vendit, mjafton të largohesh afro 100 km
nga kryeqyteti për të kuptuar se problemi real është krejt i ndryshëm. Se furia
e ujërave që shpërthyen nga kaskada e Drinit, përpara zonave të nën-Shkodrës,
ka nxjerrë në pah përmbytjen e administratës shqiptare.
Mosefikasitetin, çorientimin dhe paaftësinë e
atyre njerëzve dhe organizmave që në Tiranë trumbetohen si shpëtimtarët e kësaj
katastrofe. Nëse ka një dështim real dhe të pamohueshëm, është vetëm ky.
Të gjithë reporterët e shtypit që kanë
lundruar këto ditë mbi ujërat e fryra të Bunës (pra jo ata që kanë ndjekur
vizitat e personaliteteve), kanë parë vërtet policë që kishin disa ditë pa
gjumë, po që reagonin pa pikë profesionalizmi. Ata njerëz sa vullnetmirë aq
edhe të çorganizuar i ngjanin më shumë çetave me bashibozukë, sesa punonjësve
korrektë të rendit.
E njëjta gjë ndodhte edhe me trupat e ushtrisë
që vërtet ishin të preokupuar për të shpërndarë ushqime e për të lundruar në
ujëra të rrezikshme, por që bënin njëkohësisht veprime kontradiktore, ku
gjithmonë urdhri i fundit zhvleftësonte paraardhësin.
E njëjta gjë ndodhte edhe me punonjësit e
OSSH, që herë ua hiqnin dhe herë ua risillnin dritat zonave të përmbytura dhe
në të dyja rastet gjenin një justifikim serioz për një masë të tillë.
Vetëm në pak orë, unë isha dëshmitar në
dhjetëra raste, kur forcat e sigurisë nuk lejonin banorët të ktheheshin në
shtëpitë e tyre të përmbytura, me justifikimin se ishte dhënë urdhri për
evakuim të përgjithshëm.
E me këtë arsyetim ata refuzonin ti
shoqëronin këta banorë me mjetet e tyre të lundrimit. Por, të njëjtët njerëz lejonin
që nën hundën e tyre këta banorë të shkonin drejt shtëpive me varka të bëra në
mënyrë artizanale dhe shumë më të rrezikshme për jetën e tyre.
Vetëm në pak orë unë pashë se si forcat e
policisë të ardhura nga Gjakova trajtoheshin me shumë edukatë e mirësjellje,
por askush, përpos edukatës, nuk qe në gjendje ti ofronte një detyrë, një
mision këtyre policëve profesionistë, që dukej sikur kishin kaluar kufirin
vetëm për të dredhur zinxhirin anës Bunës.
E njëjta gjë ndodhte edhe me ata punonjës që
përgjigjeshin për energjinë dhe e ndalonin atë me arsyetimin bindës se, nëse
ajo binte në kontakt me ujin, rrezikohej të kishte viktima.
Por të njëjtët punonjës, sa herë gjendeshin
përballë presionit të të përmbyturve, se nuk kishin me se të jetonin e me se të
mbushnin celularët, nëse kishin nevojë të bënin apel për ndihmë, qenë të
gatshëm të tërhiqeshin.
E njëjta gjë ndodhte edhe me ata përgjegjës
komunash, të cilët, sa herë merrnin kërkesën e ndonjë zone të izoluar për
furnizim me bukë e me ujë, përgjigjeshin në mënyrën më absurde, se ata ishin
urdhëruar të merreshin vetëm me evakuimin e të rrezikuarve dhe nuk
përgjigjeshin për gjë tjetër.
Me pak fjalë, shteti ishte më tepër se prezent
në zonat e përmbytjes, por kjo prezencë e shumëfishtë e bënte edhe më të
prekshme paaftësinë, moskoordinimin dhe mosefikasitetin e hallkave të tij. Për
rreth 10 mijë hektarëve tokë të shkatërruara e të përmbytura, endeshin pa fund
zyrtarë të mesëm, komunarë të zgjedhur, elektricistë të papërtueshëm, policë
vullnetmirë, e ushtarakë të kudondodhur.
Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje as
merakun dhe as devotshmërinë e tyre, por të gjithë ata së bashku të krijonin
idenë e një trupi të vetëm pa kokë, që ka vullnet, por që ska mendim, që ka
energji, po sdi ku ti shkarkojë, që ka bonsens por sdi çtë bëjë me të.
Atje, në zonat e përmbytura përreth Shkodrës,
mund të shihej me lehtësi fytyra reale e administratës shqiptare. E asaj makine
gjigante, të ngathët dhe të paaftë të vetëfunksionojë, që di të bëjë vetëm një
gjë me përpikmëri: ti bindet urdhrave që vijnë nga lart. Pikërisht atje në ato
zona mund të shihet qartë zotësia reale e shtetit. Dhe si pasojë e gjithë
këtyre pikërisht atje, më mirë se në Tiranë, mund ti jepet përgjigje edhe
dilemës që gëlon në kryeqytet: nëse e gjithë kjo hata ishte vërtetë pasojë e
një zinxhiri gabimesh njerëzore.
(*) Dërguar nga autori