E Diel, 1 Nëntor 2026

Përtej konstatimeve

Jo rrallë ne vetëm konstatojmë. Për shembull, dikush konstaton se në disa farmaci, farmacisti të shet ilaçe edhe pa recetë. Një tjetër konstaton se ka mjaft pika karburanti pikërisht aty ku nuk duhej të ishin ndërtuar, fare pranë ndërtesave të banimit. Një tjetër konstaton se po ndërtohen rrugë, por askush nuk po mendon për mjetet me të cilat ato pastrohen, në dimër apo në verë. E kështu me radhë, konstatim pas konstatimi.
Natyrisht, të konstatosh është pozitive, se mund të ndodhë edhe t'i fshehësh problemet. Por konstatimi në vetvete nuk mjafton. Dhe nuk mjafton se vetëm e prezanton një gjendje negative dhe kaq. Pas konstatimit duhet të vijë një propozim për zgjidhje të problemit. Një propozim sipas një praktike apo përvoje të suksesshme, quaje si të duash, që e kanë zbatuar të tjerë para teje. Në këtë pikë ne si shqiptarë kemi ç’të mësojmë shumë nga Perëndimi. Po marr për shembull pastrimin e rrugëve nga bora në dimër. Unë jetoj në një shtet të Amerikës në Midwest, ku bie shumë borë. Aktualisht, ka pothuaj një muaj që bora ka mbuluar gjithçka, me përjashtim të rrugëve. Temperaturat janë shumë të ulëta, për javë të tëra deri edhe në -20 gradë celsius. Kur them se me përjashtim të rrugëve, gjithçka është e bardhë, kam parasysh, se mjetet motorike i kanë pastruar rrugët që pas pushimit të borës ose madje edhe gjatë kohës që bora binte. Mirëmbajtja vazhdon, nuk quhet puna e kryer vetëm me ruspat që fshijnë borën. Pas ruspave të pastrimit të borës, vijnë makinat që shpërndajnë rërë me gurë të vegjël, të cilët ndihmojnë që makinat të mos rrëshqasin në akull. Janë me qindra e më mijëra mjete që formojnë një industri të tërë të mirëmbajtjes së rrugëve në dimër. Ndokush mund të më thotë: "Ehu, me Amerikën do krahasohemi ne?! Është e pamundur të bëhet këtu, tek në ajo që thua ti...".
Po prit një herë, o zotni, të merremi vesh, - do t'i përgjigjesha unë këtij që më turfullon kështu. Unë nuk po them që Shqipëria të ketë inventarin e mjeteve të pastrimit të borës që ka Amerika. Unë po propozoj një mundësi zgjidhjeje që rruga në Qafë-Mali e të tjera si ajo në Shqipëri të zhbllokohen siç zhbllokohen rrugët këtu. Dhe propozimi im është ky: të privatizohet shërbimi i mirëmbajtjes së rrugëve në dimër, sepse edhe në Amerikë i gjithë ky shërbim është i privatizuar. Kjo është arsyeja e suksesit. Dhe nuk ka rrugë tjetër edhe për Shqipërinë që dëshiron ta zgjidhë këtë problem. Nëse privatizohet ky shërbim, keni për të parë ju se si do të bëhet gara se kush do ta marrë përsipër këtë shërbim, i cili është jo vetëm i dobishëm për publikun, por edhe me përftime financiare për ata që do të marrin përsipër ta ushtrojnë si biznes të tyrin.
Ka pothuajse dy dekada që reformat në privatizime kanë dhënë suksese në mjaft fusha në Shqipëri, por ka ende fusha që cilësohen si tabu ku privatizimi shihet si "gogol" dhe, ku për fat të keq, shfaqët edhe makutëria e korrupsionit. Po marr fushën e shërbimit mjekësor. Siç dihet, aktualisht në Shqipëri funksionon një sistem miks i spitaleve shtetërore dhe i disa klinikave private.
Jo rrallë denoncohen mjekë që punojnë në spitale shtetërore që abuzojnë duke marrë ryshfete apo që kalojnë asete të spitaleve shtetërore në klinikat e tyre private. Pa dyshim, situata është edhe më komplekse se ky shpjegim që po bëj unë. Por unë kam një model amerikan përballë meje dhe ky model është i tëri privat. Shteti, ndërkaq, financon disa programe, ku përfitojnë si në shërbimin spitalor, ashtu edhe në atë farmaceutik, kategori të caktuara qytetarësh, zakonisht të moshuarit, ose ata që futen në moshën e tretë. Por, e gjithë kjo ka lidhje shumë të ngushtë me industrinë e sigurimeve. Pa pasur sigurim shëndetësor, je si peshku pa ujë dhe mund të gjendesh në vështirësi shumë të mëdha. Kjo është edhe arsyeja që edhe këtu zhvillohet një debat shumë i madh për ta përkryer shërbimin shëndetësor, në radhë të parë për të përfituar ata që nuk e gëzojnë atë, por pa ulur cilësinë. Fakt është që me gjithë këto debate që ka prodhuar nisma e Presidentit Obama për reformat në shërbimin shëndetësor, me sa dukët, përsëri shërbimi shëndetësor do të vazhdojë të ketë në thelb të tij konkurrencën e lirë dhe jo të ashtuquajturin "Opsion të kujdesit shtetëror shëndetësor". E parë në këtë optikë, aq më tepër shërbimi shëndetësor shqiptar ka nevojë për një reformë të thellë privatizimi, me ç’ka unë kuptoj jo vetëm hapjen e më shumë spitaleve private, por edhe përfshirjen e sistemit të sigurimeve në sigurimin e shëndetit të qytetarëve mbi principet e konkurrencës së lirë. Po cila është atëherë detyra jonë si qytetarë? Vetëm të konstatojmë se kjo apo ajo nuk shkon mirë? Jo, kjo nuk mjafton. Nuk ka dobi edhe pingpongu i epiteteve dhe i "garës për moral", si për shembull i epiteteve që u vihen mjekëve që përfitojnë bakshishe etj., etj. Po të ishte puna për epitete, gara nuk do të mbaronte kurrë pa "shpërblyer" edhe funksionarët që shesin trojet e shtetit si mallin e babait, ata që ngrysen "fukarenj" dhe gdhihen "milionerë" sapo kapin një post në administratë publike e kështu më radhë. Po kjo nuk e zgjidh problemin, (problemet). Problemet zgjidhen kur orientohesh nga zgjidhje që i ka provuar bota e përparuar perëndimore si oferta jo vetëm të dobishme, por edhe ligjore dhe afatgjata në mbijetesë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›