Permbytjet vazhdojne te shkaktojne viktima dhe deme ne Europen Qendrore

Moti i keq vazhdon të shkaktojë dëme në Europën Qendrore, ku deri tani regjistrohen 10 viktima. Shërbimet metereologjike parashikojnë se situata do të përkeqësohet edhe më shumë.
Praga që është përfshirë nga ujërat e Moldovas, sot duhet të jetë në situatën më kritike. Në Republikën ceke janë regjistruar 7 viktima tre prej të cilave në kryeqytet. Të paktën katër persona konsiderohen të zhdukur.
Situatë gjithashtu shqetësuese edhe në Gjermani, duke filluar nga Baviera, ku Pasau, qyteti i tre lumenjve ka përjetuar thyerjen e rekordit të vitit 1501, ku niveli i ujërave të Danubit ka kaluar atë të 12.5 metrave.
Është përmbytur dhe bllokuar dhe autostrada që lidh Mynihun me Salisburgun në Austri. Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë gjatë ditës zonat e përmbytura.
Në Austri ku viktimat janë të paktën dy, është përmbytur i gjithë qyteti i Melk, banorët e së cilit janë evakuuar. Edhe këtu pritet që rekordi i 2002-shit, ku dëmet materiale arrinin në 7.5 miliardë euro, të tejkalohet.