E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, Rama: Populli lëngon i papunë se kryeministri s’bën për atë punë

PERMET – Fushata elektorale e socialistëve vijoi mbrëmjen e sotme në Përmet, ku u prezantuan kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Në fjalimin e tij, kryesocialisti Rama falënderoi të pranishmit për mbështetjen, duke u premtuar rilindjen e Shqipërisë.

“Dëshira dhe zemra që ju ka shtyrë drejt këtij sheshi nuk gabojnë, ne do ta rilindim Shqipërinë, shpresën e humbur në çdo familje të zakonshme. Unë besoj se Shqipëria europiane mund të ndërtohet këtu në Atdheun tonë. Ne e duam këtë vend dhe kjo dashuri na mjafton për të çuar përpara projektin e një Shqipërie të re, ku populli jeton në paqe, në harmoni e mirëqenie.”- deklaroi Rama.

Më tej, kryetari i PS-së akuzoi kryeministrin Berisha për papunësinë në vend duke thënë: “Populli lëngon i papunë sepse ka 8 vjet që mban në punë një kryeministër që nuk është për atë punë.”

“Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka një kryeministër 70 vjeç. Jo më! E dini ju që presidenti Clinton që ka gati 15 vjet që e ka lënë detyrën është më i vogël se ky katragjyshi me antiplumb që vjen vërdallë me 200 rojë dhe me qen që kërkojnë nëpër turmë se mos ka ndonjë bombë e me snajpera nëpër pallate.”- vijoi Rama.

Sikurse në mitingjet e tjera, kreu i opozitës ka bërë një ekspoze të programit të Partisë Socialiste, duke e vënë theksin tek ulja e taksave.

“Projektin që do të hapë rrugën e rilindjes do ta nisim me parimin kush fiton më shumë do paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do paguajë më pak. Brenda 100 ditësh njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që mbajnë hapur gjithë këto dyqane rreth e rrotull do t’i lehtësojmë duke ja hequr taksën e biznesit të vogël dhe duke përgjysmuar tatimin e fitimit. Ne do ta bëjmë zero taksën 20% për ushqimet jetike. Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen që askush të mos flejë i uritur dhe askush të mos zgjohet i uritur.”- theksoi lideri i PS-së.

Rama ftoi qytetarët e Përmetit që më 23 qershor të votojnë për qeverinë socialiste, që siç tha ai, do tu qëndrojë përkrah. “Nuk do të jeni më vetëm unë do të jem në krahun tuaj, ne do të jemi në krahun tuaj. PS do të jetë në krahun tuaj.”-tha ai.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama-minoritarëve: Mos votoni Spiro Kserën, diskreditoi kauzën tuaj Rama me të rinjtë: Licencimi i universiteteve private pa kriter, diplomat pa vlerë Rama në Gjirokastër: Tenderat do i bëjnë spitalet jo më nga Ministria e Shëndetësisë VIDEO: Përmet, Rama: Populli lëngon i papunë se kryeministri s’bën për atë punë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›