Përmet, kaos për pasaportat biometrike, radhë të gjata në sportele
shkak i radhëve të gjata dhe i vonesave pa fund duket se është zyra e aplikimit me një person për të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi. Të gjithë banorët e nëntë njësive vendore të rrethit Përmet, dy bashki dhe shtatë komuna, kanë në dispozicion të tyre vetëm një zyrë duke shënuar një rast unikal të paktën në Qarkun e Gjirokastrës. Radhët e njerëzve dhe gumëzhimat e tyre, janë mjaft të dukshme në orët e paradites dhe pasdites në qendër të qytetit aty ku është vendosur zyra e aplikimeve në brendësi të ish Komitetit të Rrethit. Vetëm një punonjës me një kompjuter është në dispozicion të personave që kërkojnë të pajisen me dokumentet e reja elektronike. Sipas këtij punonjësi kjo është mundësia dhe këto janë forcat për të përballuar një fluks të tillë personash që dihej se do të ishte në rritje gjatë ditëve të Pashkës Ortodokse. Sipas tij, bëhen rreth 70-80 aplikime në ditë për pasaporta dhe karta identiteti pasi të tilla janë mundësitë. Puna fillon në orën 08:00 e mëngjesit dhe përfundon në orën 16:00 duke lënë ende në radhë persona që presin. Këta të fundit, lënë stafetën tek të tjerët që paraqiten për të marrë radhën e kështu me radhë përcillet radha e sotme në të nesërmen e bashkë me të edhe kërkesat për aplikim. Nuk kanë munguar as incidentet fizike mes aplikantëve të cilët në kushtet e ngarkesës, kanë tejkaluar cdo norme etike edhe ndaj grave. Madje një qytetare e quajtur Alie Mëhilli, është qëlluar nga një burrë 54 vjeçar pasi nuk u lejua të hynte të tërhiqte pasaportën e bërë. Këto incidente ndonëse të lokalizuara, nuk kanë dashur ndërhyrjen e forcave policore të cilat duhet thënë se kanë munguar në vendosjen e rendit dhe qetësisë pranë kësaj zyre. Vetëm sot, kreu i Bashkisë së Përmetit Edmond Komino, pas pesë ditësh rrëmuje, instaloi një patrullë policore bashkiake për disiplinim të radhës. Njerëzit nga ana e tyre ankohen për këto anomali të vërejtura dhe kanë apeluar për shtimin e kapaciteteve aplikuese në këtë zyrë pse jo dhe hapjen e zyrave në bazë njësie vendore. Rrethi i Përmetit, është i vetmi ku aplikuesit për pasaporta paraqiten në një zyrë të vetme çka do të thotë se banori i komunës më të largët i duhet të përshkojë 40 km për aplikim dhe 40 km të tjera për kthim në banesën e vet. Ndonëse apelet nuk kanë reshtur, instrumentet shtetërorë nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje duke qëndruar indiferente.
Xh. Beharaj